Hekurudha Shkup – Kumanovë disa ditë në ndërprerje për shkak të rrëshqitjes së trenit


 Komunikacioni hekurudhor në relacionin Shkup-Kumanovë (Tabanoc) dhe anasjelltas, do të jetë në ndërprerje në ditët në vijim, për shkak të rrëshqitjes së vagonëve të treni transportues në kthesën dalëse në stacionin hekurudhor të Kumanovës, që ndodhi sot rreth orës dy të mëngjesit, njoftoi HM Transport.

Në aksidentin e trenit transportues që ishte në lëvizje në relacionin Kumanovë-Shkup, nuk ka persona të lënduar, por është shkaktuar dëm material.

“Të punësuarit e HM Transport dhe Infrastruktura kanë dalë në terren dhe punojnë intensivisht në mënjanimin e defektit. Për këtë,i informojmë të gjithë udhëtarët të cilët e shfrytëzojnë linjën ndërkombëtare Beograd-Selanik dhe anasjelltas, do të transportohen me autobusë nga Shkupi deri në Tabanoc dhe anasjelltas, në pajtim me itinerarin e vlefshëm. Trenat lokal të udhëtarëve drejt dhe nga Kumanova nuk do të qarkullojnë në periudhën deri në mënjanimin e defektit”, kumtoi HM Transport.

Të gjithë udhëtarëve dhe komponentëve afaristë u kërkojnë falje për shkak të shqetësimeve.

Në vijim është hetimi për konfirmimin e arsyeve për aksidentin.