Haradinaj: Më të sigurt se kurrë në jubileun e Kushtetutës


Kryeministri Ramush Haradinaj përmendi sfidat dhe sukseset në dhjetë vjetët që nga ratifikimi i Kushtetutës.

“Më 9 prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj”, shkroi Haradinaj në facebook.

Ai ditën e ratifikimit të kushtetutës e konsideroi më të rëndësishmen pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë.

“Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta për secilin, në frymën e pakufizuar demokratike”, shkroi më tutje Haradinaj.

Ai konsideroi se jubileu i Kushtetutës na gjen më të sigurt.

“Përvjetori i sivjetmë, i shtyllës kryesore ligjore të vendit, na gjen me plot detyra. Na gjen me punë, me suksese të numëruara, por edhe sfida për t’i tejkaluar e që na bëjnë më të fortë. Por, mbi të gjitha, ky jubile na gjen më të sigurt se kurrë, për rrugën tonë euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me ShBA-në”, përfundoi Haradinaj.

Në muajin shkurt KALLXO.com kiishte shkruar për shkeljet që iu bënë Kushtetutës në dhjetëvjetorin e hyrjes së saj në fuqi.