Haradinaj: Me Maqedoninë na bashkon perspektiva euroatlantike


Maqedonia dhe Kosova zhvillojnë një bashkëpunim të mirë dhe po thellojnë marrëdhëniet e tyre. Rasti “Lagjja e Trimave” është një çështje e ndjeshme e cila nuk duhet të shkaktojë probleme në marrëdhëniet dypalëshe, vlerësuan kryeministrat e Maqedonisë dhe të Kosovës, Zoran Zaev dhe Ramush Haradinaj në konferencën e përbashkët të shtypit pas takimit të sotëm në Prishtinë.

Zaev dhe Haradinaj theksuan se biseduan për projekte të përbashkëta të tilla si autostrada Shkup-Prishtinë dhe aspiratat e të dy vendeve për integrimin në strukturat euro dhe euroatlantike.
“Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të mira dhe i bashkon perspektiva euroatlantike. Ne biseduam me Zaevin për thellimin e bashkëpunimit dhe për detyrimet që në këtë kontekst duhet të plotësohen nga të dy qeveritë”, tha Haradinaj.