Hapi i parë është bërë, pritet ardhja e Nimicit

Takimi i kryeministrave të Greqisë dhe të Maqedonisë, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev në Davos, një ditë pas mbajtjes së tij, vazhdon të dominojë në mediumet greke.

Reagimet e para në mediat tek fqinji jugor për bisedimet në Davos, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina, janë se takimi kaloi në klimë pozitive, ndërkaq i njëjtë është edhe vlerësimi i burimeve qeveritare greke për gazetarët grekë.

“Të gatshëm ta presin Nyjën Gordiane” është titulli i tekstit në “Etnos”, me koment se bisedimet ishin në klimë shumë të mirë, ndërsa si tema kryesore gazeta në ballinë i zgjedh, kërkesën e Ciprasit për pakon e zgjidhjeve dhe vendimin për riemërtimin e autostradës dhe aeroportit.

Gazeta “Katimerini” komenton se Athina në tryezë e ka vendosur çështjen me irredentizmin, përderisa për Shkupin është vështirë të bëhen ndryshime kushtetuese.

“Në takimin e djeshëm, dy kryeministrat i prezantuan linjat e tyre themelore të kuqe dhe hapa të caktuar që do të kontribuojnë për ndërtimin e klimës së besimit”, shkruan “Katimerini”.

Për klimën pozitive, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina, shkruan edhe faqja e internetit e televizionit shtetëror grek “ERT”.

Ministri alternativ i Punëve të Jashtme i Greqisë, Jorgos Katrugalos vlerësoi se me riemërimet po bëhet hapi i parë, përkatësisht në praktikë po zbatohen deklaratat për qëllim dhe vullnet të mirë për përballje me irredentizmin. Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Athina, Katrugalos dje në brifing me gazetarët, mes tjerash, tha se zërat radikalë nga të dyja anët nuk dëshirojnë zgjidhje, por nevojitet të gjendet zgjidhje që do të jetë në dobi dhe interes të Shkupit dhe Athinës.

Me tetë vota “kundër” dhe tre “për”, Këshilli komunal i Athinës e hodhi poshtë kërkesën e deputetit të Agimit të Artë, Ilijas Kasidiaris për dhënie të rezolutës për mbështetje të protestës në Athinë.

Sipas agjencisë greke të lajmeve, APE-MPE, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina kryebashkiaku i Athinës, Jorgos Kaminis, ka vazhduar kërkesa të hidhet poshtë me sqarim se referendumet dhe rezolutat e ndajnë popullin dhe përhapin urrejtje.

Në Maqedoni, VMRO-DPMNE opozitare në kumtesë drejtuar mediumeve, e përshëndeti takimin mes kryeministrave të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zaev dhe Cipras, duke vlerësuar se kontaktet e drejtpërdrejta të dy kryeministrave mund të kontribuojnë për thellim të marrëdhënieve dhe ndërtim të klimës pozitive mes dy vendeve, me vërejtje se nuk kanë kurrfarë informate për procesin e negociatave.

Javën e ardhshme në Athinë dhe Shkup pritet të vijë ndërmjetësi i KB-së, Methju Nimic, ndërsa nesër për propozimet e tij të paraqitura në raundin e fundit negociues në Nju-Jork do të bisedojë kreu shtetëror dhe politik i Maqedonisë.