Han: Për fat të keq një pakicë e vendeve-anëtare nuk pranuan çelje të negociatave


 Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han në konferencën për shtyp pas takimit ministror për punë të përgjithshme të BE-së në të cilin sërish u shty vendimi për çelje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porositi se kredibiliteti kolektiv i Unionit është në pyetje.

“Për fat të keq, një pakicë e vendeve-anëtare nuk ishin në mundësi ta mbështesin propozimin e qartë të Komisionit evropian të hapen negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. KE beson fuqishëm se BE-ja duhet t’i shpërblejë ata të cilët i kanë përmbushur kërkesat e parashtruara nga vetë Këshilli vitin e kaluar, kredibiliteti ynë kolektiv është në pyetje njejtë edhe ndikimi dhe nxitja jonë”, deklaroi Han në konferencë për shtyp.

Ministrat e vendeve-anëtare sot vendosën ta shtyjnë edhe njëherë vendimin për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe u angazhuan se do të kthehen në çështje më së voni deri në tetor të këtij viti.

Zyrtarisht, shkak kryesor për atë është “koha e kufizuar” me të cilën disponon Parlamenti gjerman, i cili ka për obligim t’i miratojë vendimet lidhur me zgjerimin, edhe pse shumica konsiderojnë se bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik, sepse dihej se në qershor do të mbahet ky diskutim, ndërkaq mbetet edhe një mbledhje e Parlamentit në fund të qershorit.

Franca mbetet një nga vendet me rezerva më të mëdha ndaj zgjerimit gjithashtu.

Në paraqitjen e sotme në mbledhje, Parisi porositi se “nevojiten diskutime më të thella” dhe vazhdon të insistojë se reforma e brendshme e Unionit duhet të ndodhë para çfarëdo lloj vendimesh për zgjerim. Qëndrim, me të cilin komisari han nuk dakordohet. Ai, sekretares shtetërore franceze për çështje evropiane sot i tha se dy proceset mund të shkojnë dorë më dorë, kumtoi komisari në konferencën e sotme për shtyp.

Edhe përkundër shtyrjes, të gjitha vendet-anëtare sot e përshëndetën ngrohtë Marrëveshjen e Prespës, deklaroi Han dhe shfaqi bindje se në tetor do të ketë vendim pozitiv.

Ai konsideron edhe se duhet të tregohet mirëkuptim për proceset e brendshme demokratike dhe institucionale të vendeve-anëtare të BE-së, si Gjermania, duke aluduar në procedurën e Bundestagut.

Komisioni evropian dhe kryesimi rumun theksuan se me rëndësi është që në paragrafin për Maqedoninë e Veriut në konkludime është futur Marrëveshja e Prespës.

Përmendja e Marrëveshjes së Prespës në konkludime ishte me rëndësi për vendet-anëtare dhe për institucionet evropiane në masë të madhe edhe për shkak të dialogut Beograd-Prishtinë, sepse shumica druajnë se mungesa e shpërblimit të dukshëm për Maqedoninë e Veriut pas Marrëveshjes së Prespës do të mund të ndikonte keq ndaj procesit mes Kosovës e Serbisë.