Guteresh: Zaev dhe Cipras ta marrin çmimin Nobel për paqe


Epilogu i suksesshëm i Marrëveshjes së Prespës, si dhe procedura e ratifikimit të Protokollit për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO është me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin dhe për tërë Evropën, por para së gjithash është sukses i madh për Kombet e Bashkuara (KB), për Bashkimin Evropian dhe për NATO-n, tha sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, në takimin e punës me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski.

Guteresh, siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, ka treguar mbështetje që çmimin e sivjetmë Nobel për paqe ta marrin kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mu për shkak të arritjes së Marrëveshjes së Prespës.

“Me këtë Marrëveshje historike është mbyllur çështja e cila jo vetëm që e bllokonte të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut në 27 vitet e fundit, por edhe krijoi konflikt mes dy shteteve fqinje. Në këtë mënyrë, dy kryeministrat treguan përgatitje politike për të sjellë vendime politike me të cilat mundësohet stabilitet i përhershëm në rajon dhe në Evropë. Përpjekja e tyre personale dhe gatishmëria për kompromis për mirëqenie të qytetarëve të të dy vendeve janë shembulli më i mirë për vizion të matur dhe afatgjatë, që është veçori kryesisht e liderëve të vërtetë”, theksoi Guteresh gjatë takimit me Zhernovskin në selinë e OKB-së në Gjenevë.

Nga ana e dy bashkëbiseduesve iu shpreh falënderim ambasadorit Nimic për angazhimet e tij personale në zgjidhjen e kontestit me emrin, duke konstatuar se shkathtësia dhe durimi i tij diplomatik prej pothuajse tre dekadave, meritojnë respekt të thellë.

Zëvendësministri Zhernovski ia transmetoi sekretarit Guteresh falënderimin e Qeverisë sonë për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që KB-ja ia jepte vendit gjatë tërë procesit të negociatave për gjetje të zgjidhjes për emrin që u zhvilluan nën patronatin e KB-së, si dhe për tërë procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

Njëherit, në takim u bisedua për aktivitetet e Qeverisë lidhur me zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht  nga Marrëveshja me Greqinë. Sekretari i përgjithshëm informoi edhe për letrat e dërguara nga ana e tij, kryetarit të Këshillit të Sigurimit dhe kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, me të cilat i ka njoftuar për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare.