Grupi i ri i vullnetarëve amerikanë arrijnë në Maqedoni

Grup i ri me një numër rekord prej 55 amerikanëve të dielën do të arrijnë në Maqedoni ku do të shërbejnë si vullnetarë të Korpusit të Paqes. Ata do ta ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre duke shërbyer si vullnetarë nëpër shkolla dhe organizata nëpër Maqedoni.

Vullnetarët do të priten në aeroport nga Drejtori i Korpusit të Paqes në Maqedoni, Mark Hannafin dhe stafi i Korpusit të Paqes.

Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni, ata do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze, si edukatorë specialë me persona me nevoja të veçanta, në fushën e zhvillimit të bashkësive në partneritet me shkollat fillore dhe të mesme, me institucionet qeveritare, me komunat dhe organizatat joqeveritare.

Korpusi i Paqes është organizatë qeveritare amerikane dhe i realizon programet e saj në partneritet me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.

Ky është grupi i 23-të me radhë i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në Maqedoni. Në tre muajt e parë, vullnetarët do të kalojnë nëpër një trajnim përgatitor ku do të përfshihet mësimi i kulturës dhe gjuhës maqedonase dhe shqipe, kurse me punë do të fillojnë në fillim të dhjetorit.

Që nga viti 1996 në Maqedoni si vullnetarë kanë shërbyer mbi 750 shtetas amerikanë./Gazeta e Pavarur