Gruevski, Jankulloska dhe Popovski në gjykim për lëndën “Tank”


Në Gjykatën penale sot duhet të mbahet seancë për lëndën e PSP-së “Tank”, në të cilën të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska dhe ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski, për furnizimin e mercedesit luksoz prej 600 mijë eurove.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska, seancën e fundit gjyqësore e anuloi në kërkesë të avokatit Bogoljub Sofronievski, i cili nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, duke e pasur parasysh se ditën paraprake ishte i angazhuar si mbrojtës i Gjoko Popovskit.

Prokurori nga PSP-ja, Trajçe Pelivanov, theksoi se të gjithë të akuzuarit t’i marrin të drejtat e tyre, por kjo të mos ndodh në të ardhmen, sepse zvarritet procedura.

Sipas akuzës, në periudhën nga shkurti deri në fund të tetorit të vitit 2012, Nikolla Gruevski si person zyrtar e ka shfrytëzuar ndikimin dhe pozitën zyrtare dhe ka kërkuar nga ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska të zbatojë furnizim publik në të cilën Ministria do të blejë automjet të ri të blinduar “mercedes”, modeli “C-600 gard”, ndërsa në procedurë është favorizuar operatori ekonomik M.A. SHPKNJP përfaqësues gjeneral dhe distributor i automjeteve nga brendi “Mercedes”.

Jankulloska për ta plotësuar kërkesën, megjithatë, e ka inkurajuar të akuzuarin ndihmës-ministrin Gjoko Popovskin për ta bërë këtë vepër penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimit zyrtar. Automjeti nga Ministria është dashur t’i jepet në shfrytëzim edhe Gruevskit i cili ka dashur të shfrytëzojë një automjet të tillë të blinduar, por për këtë nuk ka dashur të bëhet e ditur në opinion.

Për furnizimin e mercedesit, opinioni ka mësuar nga bisedat që i ka publikuar opozita.

Gjykata e Apelit Shkup, siç njofton MIA, më 8 nëntor të vitit të kaluar ka vendosur që bisedat e përgjuara për furnizimin e mercedesit të jenë si dëshmi në gjykimin për rastin “Tank”.