Gruevski iku, gruevizmi jeton te Zaevi


Robert Nesimi

Gruevski një ditë do të ikë, por ç‘do të bëjmë me gruevizmin? Kjo pyetje e ka munduar gjatë opinionin publik në kohën e regjimit, kur u bë e qartë se ka rrezik që elemente të regjimit të Gruevskit mund të vazhdojnë të ekzistojnë edhe pasi ai të ketë ikur nga pushteti. Atëherë dhe tash sytë i janë drejtuar partisë dhe trashëgimtarit të tij, si pjesë e mentalitet të njëjtë të mendimit dhe veprimit. Por me ndryshimet politike në vend dhe pushtetin që e gëzon tani kryeministri Zaev, them se ka ardhur koha që me kut të njëjtë të masim dhe vlerësojmë edhe veprimet e tij, të cilat veçmë japin shenja të vazhdimit të filozofisë qeverisëse të Gruevskit.

Kuptohet Zaevi ka vetëm gjashtë muaj në pushtet dhe është herët të jepet vlerësim përfundimtar nëse ai do të bëhet Gruevski i ardhshëm. Mirëpo disa qëndrime dhe deklarata të tij, sidomos pas zgjedhjeve lokale kur fitoi pushtet edhe më të madh, na japin një vështrim brenda botëkuptimeve të tij dhe perceptimit të tij të qeverisjes. Kjo jep disa sinjale për shqetësim dhe dyshime se kapaciteti i tij demokratik nuk është në nivelin e duhur dhe se në rast pushteti më të madh Zaev mund të bëhet kanosje për demokracinë në vend poaq sa ishte Gruevski.

Stili autoritar i qeverisjes së Zaevit më së miri mund të shihet nga raportet e tij me Aleancën për Shqiptarët. Dhe kjo jo sepse këto raporte u shpalosën në sy të gjithë publikut, por thjeshtë për faktin se deri sot Aleanca është e vetmja që ka guxuar t’a kundërshtojë nga brenda. Mu për këtë raportet e Zaevit me Aleancën janë ilustrim më i mirë se si ai preferon të merret me të padëgjueshmit dhe ata që mendojnë ndryshe, e kjo duhet të jetë thirrje për alarm për gjithë forcat demokratike në vend. Ky raport më së miri ilustrohet me disa qëndrime dhe deklarata kyçe nga periudha e shkurtër e bashkëpunimit mes dy subjekteve.

1. “Unë kryeministër, Bejta kryetar komune, Taravari ministër”. Kjo deklaratë e dhënë në vlugun e zgjedhjeve lokale, jo më tepër se katër muaj pasi u bë kryeministër, ilustron më së miri botëkuptimin e Zaevit. Ai veçmë ka filluar të ndihet si mbret, që ju tregon vartësve se ku e kanë vendin. Pyesim se ku mbesin qytetarët në këtë botëkuptim; a nuk janë ata sovrani që duhet të vendosë dhe thotë fjalën e fundit kush ku duhet të zgjidhet? Kush i dha të drejtë kryeministrit t’i shohë punët nga lartë, sidomos pasi u bë kryeministër pa fituar në zgjedhje dhe falë partisë së Taravarit? Prej ku ky trajtim i qeverisë dhe shtetit si pronë e tij private dhe pashallëk, ku ai dhe vetëm ai vendos se kush ku duhet të jetë? Ky ishte sinjali i parë se lideri i SDSM ka filluar të sillet si gruevist klasik, ndërsa bojkoti i mëtejshëm i komunës së Gostivarit pas mposhtjes nga Aleanca tregon se ai nuk e ka ndërmend të ndalet.

2. “Ende nuk kam vendosur kush do të jetë ministër i shëndetësisë”. Në vetën e parë njëjës. Kështu u shpreh kryeministri pas zgjedhjeve lokale, kur vendi i ministrit të shëndetësisë mbeti i zbrazur. Përsëri sjellje e tipit “Shteti jam unë”, në stilin e mbretit-diell Luigji i 14-të. Me këtë shprehje kryeministri i barazoi me zero partnerët tjerë të koalicionit dhe vetë partinë e tij, sepse ai dhe vetëm ai paska të drejtë të vendosë. Por çka do të ndodhte nëse për shembull partia, partnerët ose Parlamenti nuk miratonin vendimin e tij? Apo Zaev e ka ditur që përpara se tjerët do t’a ndjekin verbërsisht? A kemi ne kryeministër apo mbret; kush është në pushtet, reformatori ose ndjekësi më i ri i Gruevskit?

3. “Ministrinë ja dhamë Taravarit, jo Aleancës”. Në pamje të parë kjo deklaratë mund të duket si shaka e dështuar. Së pari pasi Aleanca fitoi pozita në qeveri pasi siguroi numrat kyç për të; pa të Gruevski sigurisht do të ishte akoma në pushtet, ndërsa Zaevi në burg. Së dyti, të themi se Zaevi e ka patur me gjithë mend. Por kjo i bie se ministritë tjera i janë dhënë Bujar Osmanit, Bilent Salijit, Sadulla Durakit e të tjerëve dhe jo BDI-së. Është e qartë se as vetë Zaevi nuk beson në përralla të këtilla, por mu kjo mënyrë e arsyetimit për gropën ku ka rrënë jep material të mjaftueshëm të kuptohet çka ai mendon vërtetë.
Në këtë rast Zaevi vendos veten si gjykues suprem, njëshi që di më së miri se kush ku e ka vendin. Dhe rrjedh se Taravari qenka OK, por Filipçe me “gabaritin” e tij të pasur është aq më i mirë se kushdo tjetër nga Aleanca sa për të ja vlen të prishet edhe koalicioni. Pa marrë parasysh se pas “gabaritit” të Filipçes fshihet një ish-këshilltar i Todorovit, kontraplenumës që nuk din çka nënshkruan; dhe pa marrë parasysh se këtë ja thonin një pjesë e madhe e opinionit, bashkëluftëtarë të deridjeshëm të Zaevit kundër regjimit. Në botën e Zaevit, Zaevi din më së miri!

4. Me Filipçen doli në sipërfaqe edhe dëgjueshmëria e plotë ndaj Zaevit brenda partisë së tij. Është për t’u habitur që për hapa të këtillë radikalë siç janë rikonstruimi i qeverisë dhe emërimi i një ministri kontraverz nuk pati asnjë zë kundër, apo ndonjë debat brenda SDSM-së. Në fakt gjatë gjashtë muajve sa është në pushtet në SDSM nuk ka asnjë rast mendimi ndryshe ose mospajtim me atë që e bën Zaevi. Deputetët funksionojnë si me sustë, funksionarët janë skajshmërisht të dëgjueshëm, anëtarësia hesht. Në stilin e Gruevskit dhe gruevizmit dikush e quan këtë “kohezion”, por është më e ndershme t’a quajmë me emrin e vërtetë – autoritarizëm. Dhe më duket se kësi autoritarizmi nuk ka patur as në VMRO gjatë gjashtë muajve të parë të saj në pushtet.

5. “Aleanca është parti e vogël, me dy deputetë, kemi shumicë edhe pa të”. Qesharake në këtë qëndrim është se deri dje, kur duhej t’a shpëtojë nga mbetja në opozitë dhe burgu, Aleanca ishte parti e madhe dhe e rëndësishme. Poashtu është qesharake që Aleanca ishte parti e vetme që pati rritje në zgjedhjet lokale (edhe SDSM madje ra në vota!). Edhe më qesharake është se përkundër 50.000 votave të Aleancës, në qeveri vazhdojnë të udhëheqin me ministri parti me nga 2-3.000 vota.

Por nuk është aspak qesharake si e kupton kryeministri demokracinë. Pra sipas tij “të vegjlit” mund lirisht të anashkalohen nëse guxojnë t’a kundërshtojnë. Dhe nuk e kupton se në fund të fundit pikërisht kjo është demokracia; të dëgjohet dhe vlerësohet secila votë dhe secili qëndrim, sidomos kur është i ndryshëm me tëndin.

Në pika të shkurtëra këto janë pjesë të deklaratave dhe qëndrimeve me të cilat kryeministri tregon tendenca të bëhet reinkarnim i gruevizmit me ambalazh të majtë. Gjykuar nga reagimet, një pjesë e “liridashësve” ndihen të kënaqur me mënyrën si Zaevi u morr me “nacionalistin Sela”. Në BDI janë skajshmërisht të lumtur që përsëri do të jenë shqiptarët e vetëm në qeveri, “zezakët e vetëm në aheng”. Por ky shembull duhet të shërbejë si alarm për atë që mund të pasojë, për atë se kush tjetër është në shënjestër. Dhe mu ky opinion liridashës, që luftoi regjimin dhjetë vite me rradhë, duhet t’i mbajë sytë hapur dhe të shohë se Gruevski iku, por shpirti i tij vazhdon të jetojë te Zaevi, i cili ngadalë po bëhet pasuesi i tij më i flaktë. Dhe të vetëdijësohet sa nuk është vonë, sa njëri regjim nuk është zëvendësuar me një tjetër.

P.S. Pasi mbarova së shkruari kolumnën Zaevi doli me një deklaratë të re në të njëjtën frymë: “Nuk planifikoj zgjedhje në 2018”. Jo ne. Unë, Zaevi!