Gruevski dorëheqjen në Kuvend e dorëzoi në gjuhën hungareze


Dorëheqjen e paralajmëruar nga funksioni i deputetit, ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili pas proceseve gjyqësore iku dhe mori azil politik në Hungari, është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë  së Veriut të mërkurën e 5 qershorit. Pritet që të hënën në koordinim kryetari i Kuvendit së bashku me koordinatorët e grupeve parlamentare ta shqyrtojnë dorëheqjen e Gruevskit dhe të vendosin se a do të vendoset në rend dite të seancës së parë të ardhshme të caktuar për të martën, duke pasur parasysh se po udhëhiqet procedurë për marrjen e mandatit të tij, pika e rendit të ditës e vendosur në seancën e  njëjtë.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në deklaratë  thotë se dorëheqja ka arritur me akt noterial dhe me vula adekuate me të cilat konfirmohet se bëhet fjalë për deklaratë personale të Gruevskit.

“Është pranuar më 5 qershor. Është dërguar për përkthim nga gjuha hungareze dhe kur të përkthehet do t’iu dorëzohet deputetëve”, tha Xhaferi.

Dorëheqja, siç paralajmëron, do të shqyrtohet të hënën në koordinim dhe gjatë kësaj do të merren parasysh dispozitat e Rregullores dhe të Kushtetutës të cilat kanë të bëjnë me dorëheqjen e deputetit, por edhe faktin se në Kuvend tashmë ka procedurë adekuate për marrjen e mandatit të tij.

Komisioni për Çështje të Rregullores  dhe Mandatit-Imunitetit me pesë vota “për” dhe asnjë votë kundër dhe të përmbajtur më 29 maj solli vendim me të cilin i propozohet Kuvendit marrja e mandatit të Gruevskit për shkak të mungesës prej gjashtë muajve nga nëntori deri në maj të këtij viti. Vendimi i Komisionit është në rend dite të seancës së caktuar për të martën më 11 qershor. Që t’i merret mandati Gruevskit me votim në Kuvend nevojitet shumicë prej dy të tretave që nuk dihet sa a do të arrihet duke e pasur parasysh veprimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së gjegjësisht mosdeklarimit në seancën e Komisionit.

Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, partia amë e Gruevskit, para kësaj seance të Komisionit solli vendim që të votohet “për” marrjen e mandatit të Gruevskit, por deputetët e partisë opozitare aspak nuk u deklaruan për vendimin.

Nëse Xhaferi dhe koordinatorët e grupeve parlamentare të hënën vendosin që ta pranojnë dorëheqjen e Gruevskit të dorëzuar përmes aktit noterial si deklaratë personale, ajo do të gjendet në rend dite të seancës së 102-të të Kuvendit të caktuar për të martën në orën 11.

Xhaferi thotë se duhet të bëhet konsultim edhe me opozitën edhe me shumicën në pushtet se si të veprohet për shkak të asaj se ky është rast specifik për çka nuk ka qëndrime dhe  dispozita  të veçanta në legjislacionin tonë.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet që Qeveria deri te Kuvendi të dorëzojë propozim për shkarkim dhe zgjedhje të ministrave të rinj. Xhaferi thotë se nuk mund të parashihet se kur do të ndodhë kjo, por potencon se seanca do të mund të caktohet në afat më të shkurtë se dhjetë ditë.  Gjithashtu bën të ditur se kur do të caktohet seanca dhe sa do të zgjasë ajo do të varet nga ajo se a do të propozohet zgjedhje e gjithë Qeverisë ose do të propozohet vetëm rekonstruktim ose ndryshim i një pjese të ministrave.