Gruevski dhe funksionarët e lartë të VMRO-DPMNE-SË këtë javë ulen në bankën e të akuzuarve


Në Gjykatën Penale në Shkup këtë javë vazhdon gjykimi për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Publike Speciale.

Seanca të reja gjyqësore për lëndën “Titanik” të PPS-së janë caktuar për më 16 dhe 17 gusht, përderisa në javën e fundit të muajit gusht vazhdojnë edhe gjykimet për lëndët “T.N.T.” dhe “Fortesa dhe Target”.

Gjatë pushimit gjyqësor nga data 15 korrik deri më 15 gusht në Gjykatën Penale nuk kishte seanca gjyqësore të caktuara për rastet e PPS-së.

Seanca e fundit gjyqësore për lëndën “Titanik” duhej të mbahet më 3 korrik, por ishte anuluar për shkak të mungesës së të akuzuarës Gordana Jankullovska, e cila, siç njoftoi avokatja e saj Sanja Aleksiq, gjendet në spital pas lindjes.

Gjykatësi Osman Shabani atëherë tha se e akuzuara Gordana Jankullovska ka të drejtë 45 ditë të mos thirret në seanca gjyqësore, për shkak të së cilës e anuloi gjykimin për lëndën “Titanik” për më 16 gusht.

Në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.