Grubi: Opozita vazhdon politikën destruktive ndaj ligjit të gjuhëve


Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, u takua me ambasadoren e Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë, Renate Kobler.

Në takim, kryetari i Komisionit, Grubi, duke u përqendruar në ngjarjet e fundit në vend në lidhje me reformat dhe detyrat e nevojshme të BE-së, theksoi se koalicioni punon gradualisht, me qëllim në Raportin Vjetor për vendin në prill, të mënjanohet kushtëzimi i rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësimin tonë në BE, dhe në qershor Këshilli në Sofje ta vërtetojë këtë rekomandim, njofton Medial.mk.

Në këtë drejtim, informoi se Kuvendi e ratifikoi Marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bulgarinë, miratoi një numër të madh ligjesh reformatore, në rrjedhë janë negociatat për zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë, po finalizohet pjesa normative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Grubi theksoi se presim gjatë Kryesimit të Austrisë fillim të hapjes së kapitujve.

Grubi theksoi se në rastin me Ligjin për gjuhët, opozita vazhdon me politikën destruktive dhe për fat të keq, ka mbetur e robëruar në barrën e së kaluarës së vet të dështuar duke treguar jokompatibilitet dhe moskuptim të së sotmes dhe pritjeve të qytetarëve.

Shteti është para sfidave të mëdha historike dhe ka nevojë për opozitë të përgjegjshme.

Ambasadorja Kobler informoi për përgatitjet për Kryesimin e Austrisë me BE-në, që fillon në gjysmën e dytë të vitit, me ç’rast e vërtetoi mbështetjen e Austrisë për proceset eurointegruese të Maqedonisë, si dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se Austria do ta vazhdojë politikën për zgjerimin e BE-së me vendet e këtij rajoni, me çka shtetet do të përforcohen, e me këtë edhe tërë BE-ja.