Grubi: Nga dobësi, marrëdhëniet ndëretnike u shëndruan në forcë


Kryetari i trupit amë punues, i cili e shqyrtoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve – Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, e përshëndeti miratimin e djeshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Grubi u shpreh i kënaqur që Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota \”për\”, pa asnjë votë \”kundër\” dhe asnjë votë \”të përmbajtur\”.

Gjithashtu, në tërë procedurën gjatë miratimit të Ligjit, në debatin e komisionit, si në leximin e parë, leximin e dytë dhe leximin e tretë të Ligjit në seancën e Kuvendit, Ligji u votua dhe u vërtetua pa asnjë votë kundër.

Me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve u rrumbullakësua pjesa normative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me çka Maqedonia do të bëhet shtet më i fuqishëm, më stabil, më i sigurt dhe më koheziv i cili fuqishëm shkon drejt BE-së dhe NATO-s.

Grubi potencoi se ajo që deri dje ishte dobësi, marrëdhëniet ndëretnike, sot paraqet forcën më të madhe për Republikën e Maqedonisë.

Tani është koha të përkushtohemi plotësisht në ligjet tjera reformuese, si dhe në zgjidhjen e kontestit me fqinjin tonë jugor që ta integrojmë tërësisht vendin tonë në NATO dhe në BE.