Grubi në Bruksel: Rekomandim i pastër dhe datë për negociata


Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, njëherit edhe deputet nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, ka vijuar vizitën në Bruksel, duke takuar përgjegjësin për përgatitjen e raportit për Maqedoninë dhe Kosovën, David Kulen.

Në takim, bashkëbiseduesit diskutuan në detaje zhvillimet në Maqedoni dhe agjendën reformuese dhe politike të vendit tonë.

Grubi foli për aktivitetet e parapara të Kuvendit për t’i përfunduar detyrat e shtëpisë në mënyrë që t’i lehtësohet Brukselit rekomandimi i pastër, por edhe dhënia e datës për fillim të negociatave.

“Përkushtimi jonë për reforma, sundim të së drejtës dhe fqinjësi të mirë janë parakushte për të marrë rekomandim të pastër nga Brukseli në pranverë, por në vijim edhe datë për fillim të negociatave për anëtarësim”, ka theksuar Grubi.

Kulen foli për këndvështrimet e Brukselit mbi aktivitetet reformuese në Maqedoni duke theksuar pritshmëritë e Bashkimit Evropian për rezultate konkrete nga Shkupi.

Grubi, me ftesë të kolegëve të tij nga Parlamenti Evropian sot ka marrë pjesë edhe në Mëngjesin Evropian të Lutjes ku gjatë ditës do të takohet me shumë pjesëtarë të lartë, ndërsa pasdite do të ketë takime edhe në zyrën e Mogerinit dhe me treshen europarlamentare