Grubi: Duam demokraci të prodhuar në BE dhe Amerikë, jo në Rusi dhe Kinë


Dje (26.02.2018), kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, ishte nikoqir i Konferencës së 13-të të KOSAP-it.

Konferenca paraqet forum parlamentar për bashkëpunim ndërmjet komisioneve për Çështje Evropiane të shteteve të parlamenteve të përfshira në procesin për stabilizim dhe asocim të Evropës Juglindore.

Në vazhdim keni fjalimin hyrës në Konferencë i kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi.

‘Besoj se mbledhja jonë e sotme është forum i vërtetë që të flasim haptazi rreth disa çështjeve të cilat janë aktuale.

Jemi dëshmitarë të kthimit të gjeopolitikës në marrëdhëniet e përditshme ndërmjet shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përcaktimeve të tyre strategjike.

Duke e shfrytëzuar lojën gjeopolitike të shahut në të cilën ne jemi statistë protagonistë, vërej theksimin tonë të përditshëm të prezencës dhe përzierjes së ariut të madh polar në përditshmërinë tonë, që në fakt, është edhe situata faktike.

Po, në Ballkan shikojmë ngatërrimin e interesave të ndryshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike të lindjes së epërme, të lindjes së poshtme, të lindjes së mesme, lindjes së largët, si dhe të perëndimit. Mirëpo, në këtë vendosje të skenës, ne e kemi rolin më të vogël dhe në fund lehtë mundemi të kemi edhe dëm kolateral.

Por, gjeostrategjia dhe gjeopolitika, e cila në fakt, nuk varet edhe aq prej nesh, nuk mundet dhe nuk guxon në asnjë rast të mundshëm të na shërbej si arsyetim apo zëvendësim për sundimin e së drejtës, të drejtat e njeriut, institucionet e besueshme, zgjedhjet demokratike, mediet e pavarura dhe të përgjegjshme shoqërore.

Elefanti ynë në hapësirën tonë të qelqtë të quajtur Evropa Juglindore, si dhe sfidat e sotme gjeostrategjike dhe gjeopolitike nuk mund të na shërbejnë si arsyetim për manipulimin e demokracisë dhe sistemit.

Kontrollimi i gjykatësve, i prokurorëve, i bashkësisë akademike, i shoqërisë civile, i medieve përmes korruptimit të tyre në forma të ndryshme dhe pastaj të fituarit e zgjedhjeve në kushte të tilla, në fakt, është manipulim sipërfaqësor dhe afatshkurtër i demokracisë.

Pikërisht kjo është sfida, korrupsioni, sundimi i së drejtës dhe padënueshmëria jonë më e madhe. Këto janë sfidat tona të sigurisë të cilat na bëjnë variabilë dhe të varur, shumë më tepër se Elefanti në hapësirën tonë të qelqtë apo Ariu i cili na luan valle në oborr.

Andaj, ne, parlamentet tona, qeveritë tona, por edhe shoqëritë tona duhet të përcaktohen, t’i përmbushin detyrat dhe të instalojnë demokraci e cila është e prodhuar në Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, e jo në Kinë apo Rusi.

Ne duhet ta bëjmë pikërisht këtë, kurse miqtë tanë në Bashkimin Evropian duhet të demonstrojnë kapacitet politik të ballafaqohen në mënyrë vendimtare dhe unanimisht me oborrin e vet, duke miratuar vendime të guximshme, të padykuptimta, pa anulime përfundimtare dhe me kalkulime, por në frymën e themelimit të Bashkimit, të pushojnë të na mbajnë në dhomën e pritjes në udhëkryq ku fryjnë erërat lindore dhe të kenë guxim për bashkimin e kontinentit pa kalkulime të brendshme dhe kalkulime të ngushta politike.’