Grubi bllokon amandamentet e VMROsë dhe Besës për “shqipen”, Lëvizja Besa me akuza


Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Maqedonisë, deputeti i BDI-së Artan Grubi, ka thirrur sot vazhdimin e parë të seancës së gjashtë të komisionit për ta përfunduar leximin e dytë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Debati në këtë komision zgjat tre ditë pune, ndërsa sot përfundoi dita e dytë dhe mbetet vetëm edhe një ditë pune për ta përfunduar shqyrtimin e amandamenteve. Pasi që në ditën e parë të debatit mungonte përfaqësuesi i autorizuar i propozuesit të ligjit, Ministri dhe zëvendës ministri i drejtësisë, Deputeti Grubi thirri pauzë të seancës gjersa të krijohen kushte për zhvillim të punës në përputhje me rregulloren. Kjo u interpretua si skenar i parapregaditur i Grubit duke shfrytëzuar rregulloren e Kuvendit

Sot në seancë është paraqitur Ministri i Drejtësisë Bilen Saliu me ç’rast ka filluar shqyrtimi i 90 amandamenteve të propozuara nga VMRO DPMNE, Besa dhe LSDM për ta ndryshuar propozim tekstin e ligjit për për përdorimin e gjuhëve me të cilin barazohet përdorimi i gjuhës shqipe me atë maqedonase në institucionet e pushtetit qëndror.

Por, Deputeti Grubi me sa duket ka vendosur që mos të lejojë asnjë ndryshim të ligjit për gjuhën shqipe duke bllokuar amandamentet e VMRO DPMNE-së dhe partisë Besa në seancën e sotme nëpërmjet të debatit të pafund dhe të stërzgjatur për amandamentin e parë duke shterur në këtë mënyrë tre ditët e parapara me rregullore për diskutim mbi amandamentet dhe duke pamundësuar ndryshimin e ligjit.

Sfida e deputetëve të BDI në komision do të jetë mbrojtja e formës autentike të propozim ligjit dhe mos lejimin e ndryshimit të tij nëpërmjet të 91 amandamenteve të propozuara nga ana e VMRO DPMNE, LSDM dhe Besa.

Leximi i parë i Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve përfundoi në mes të nëntorit nëpërmjet të miratimit të nevojës për miratimin e këtij ligji në Seancën nr. 15 të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Në konferencë për shtyp, deputeti i Lëvizjes BESA tha se në seancën e sotme kryetari i Komisionit, Artan Grubi ka bërë manipulime që të mos bëhet debat real duke u dhënë fjalë atyre për ta sqaruar amendamentin.

“Debati sot u desh të bëhet. Ne i kemi dorëzuar amandamentet dhe na u pamundësua që të njëjtat t’i sqarojmë. U dhanë fjalë të tjerëve, ndërkaq neve jo. Ky manipulim nuk mundej të lejohet, andaj kërkuam edhe procedurale. Skenarin e tillë e ka organizuar Artan Grubi me deputetët e tij, por ne me mjete demokratike do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar, pasi që kemi treguar pakënaqësi ndaj këtyre manipulimi. Ne si Lëvizje BESA e kemi deklaruar këtë qëndrim për këtë ligj, ne do ta përkrahim dhe do ta votojmë këtë ligj, por me amendamentet tona duam që ta përmirësojmë. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë ligj pasi nuk zyrtarizohet gjuha shqipe”, tha Zendeli.