Grubi: Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa ne

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Artan Grubi, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve për Çështje Evropiane të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Sofje, Republika e Bullgarisë.

Në Konferencë, Grubi mbajti fjalim para deputetëve të parlamenteve nacionale të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe u përqendrua në perspektivën evropiane të Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në sesionin për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe fuqia është në bashkimin, Grubi theksoi se bashkimi është i plotë kur është i kompletuar, ndërsa që Evropa të jetë e kompletuar, nevojitet integrim i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe vetëm atëherë Evropa do të jetë e plotë.

“Ne, vendet e Ballkanit Perëndimor kemi investuar shpresë në Kryesimin e Bullgarisë dhe posaçërisht në prioritetin e tyre për zgjerim të Bashkimit Evropian me vendet e Evropës Juglindore, posaçërisht dhe së bashku me kryesuesit e ardhshëm, Austria dhe Rumania, do të na mundësohet perspektivë konkrete evropiane.

Presim strategji pozitive, konkrete dhe afirmative nga z. Junker, rekomandim të pakushtëzuar dhe raport pozitiv si dhe datë për negociata, të cilin e presim nga viti 2005 me statusin e vendit kandidat dhe nga viti 2009 me rekomandimin e parë për fillimin e negociatave. Gjithashtu, duke e pasur parasysh se shumica prej nesh janë edhe vende anëtare të NATO-s, presim mbështetjen tuaj edhe në Samitin e Aleancës në qershor në Bruksel” theksoi Grubi.

“Deputeti Grubi theksoi se për ta arritur atë për të cilën synojmë, ne jemi tërësisht të përkushtuar në reformat në sundimin e së drejtës dhe konkretisht dërgojmë, e finalizuam pjesën normative të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si dhe e ratifikuam Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, si dhe e intensifikuam dialogun me Greqinë drejtë zgjidhjes përfundimtare.

Kërkojmë vepra konkrete prej jush, Komisionit, vendet anëtare si dhe ta shohim më shumë Evropën në Ballkanin Perëndimor se sa Rusinë”. theksoi Grubi.

Gjatë vizitës në Sofje, Grubi realizoi takim me kolegët e tij të rajonit, me kolegët e parlamenteve nacionale të vendeve të Bashkimit Evropian.