Greqia sheh elemente irredentizmi te “Shkupi 2014”


Përmendorja e Aleksandrit të Madh, Olimpisë, Filipit të Dytë, porta “Maqedonia” si dhe emrat e disa rrugëve në Shkup, sipas tekstit të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme greke, për fqinjin jugor përbëjnë irredentizëm. Mes tjerash, janë përmendur edhe disa simbole “me diellin e Verginës” dhe harta e Maqedonisë së madhe, të vendosura në disa qytete si dhe emri i autostradës dhe aeroportit “Aleksandri i Madh”, të cilat janë riemëruar në “Miqësia” dhe “Aeroporti ndërkombëtar Shkup”. Por, a do të vazhdojë Maqedonia të ndërrojë emra të rrugëve apo të largojë përmendore, të cilat për Greqinë janë irredentiste? Nga Qeveria për Alsat shkurt u përgjigjën se emrat e rrugëve janë kompetencë e komunave, por nuk u përgjigjën lidhur me heqjen e përmendoreve. Pikërisht mënyrën se si janë vendosur përmendoret, që për Greqinë janë irredentiste, është duke e kontrolluar grupi i punës për menaxhimin me pasojat nga projekti “Shkupi 2014”. Mes tjerash, po shqyrtohen edhe elaboratet e përmendores “Nëna Terezë”, e cila është në ndërtimin e sipër dhe skulpturat që nënkuptonin fillimin e realizimit të këtij projekti.

Shkelja më thelbësore e rendit kushtetues është se ato janë vendosur si simbole, që është falsifikim i rëndë, pasojë e të cilit është vet vepra penale- suspendim i së drejtës që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të vendos për përmendoret – thotë Mirosllav Gërçev- koordinator i grupit të punës.

Do të thotë, është e mundur që këto përmendore të largohen?

“Ne e propozojmë këtë”

Koordinatori i grupit të punës Gërçev, pohon se përputhja e një pjese të përmendoreve që ata propozojnë të largohen, me ata që për Greqinë janë irredentiste, është krejt rastësi.

T’ju them të drejtën, nuk merakosem se çfarë ka në listat e grekëve. Ne punojmë sipas drejtimit tonë, secili individualisht, sipas ndërgjegjes tonë, sipas ndjenjës për obligime dhe sipas detyrimeve ndaj projektit të madh shtetëror të Maqedonisë – shton Mirosllav Gërçev.

Edhe nga Qyteti i Shkupit nuk morëm përgjigje konkrete rreth kësaj çështje. Kryetari Petre Shilegov për Alsat shkurt u shpreh se rreth riemërimit të rrugëve ende nuk ka diçka konkrete ndërsa lidhur me përmendoret shtoi se do të veprohet aty ku ka nevojë. Po shqyrtohet secila në veçanti, duke pasur parasysh se për çdo përmendore, kompetencat bien në institucione të ndryshme.

Alsat M