Gostivar, BDI: Vazhdon hakmarrja politike e Arben Taravarit


Nga dega e BDI-së në Gostivar thonë se kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari vazhdon me revanshizmin dhe hakmarrjen politike ndaj administratorëve komunalë. Së fundmi, me një urdhëresë joligjore ka urdhëruar edhe një administratore të transferohet në hapësirat e Ndërmarrjes Publike Komunale.

Kurse potencojnë se bëhet fjalë për bashkëshorten e njërit nga drejtorët e shkollave të Komunës së Gostivarit, të cilët u shkarkuan në mënyrë jo ligjore nga Arben Taravari. Pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës kthehu në detyrë drejtorin që ishte shkarkuar padrejtësisht, Taravari hakmerret ndaj bashkëshortes së tij  duke e internuar në hapësirat e Ndërmarrjes Publike “Komunalec”.

Ndërsa vlerësojnë se ky veprim është rast eklatant i politizimit të administratës komunale nga ana e Arben Taravarit, i cili vazhdon diskriminimin mbi baza politike edhe pas rekomandimeve dhe vërejtjeve nga institucionet kompetente.

Po ashtu shtojnë se edhe Avokati i Popullit në rekomandimin e dërguar deri tek Kryetari i Komunës së Gostivarit nënvizon që me ligjin për mbrojtje nga shqetësimi në vendin e punës, në përputhje me nenin 5, alinea 1 parashikohet që: Shqetësimi psiqik në vend të punës në kuptim të këtij ligji, është çdo çasje negative që ndërmerren nga individ apo grup njerëzish e që përsëritet në kontunitet apo në mënyrë sistematike, gjë që paraqet nënçmim të dinjitetit, integritetit, reputacionit dhe ndershmërisë së punonjësit.

Duke nisur nga këto fakte, Avokati i Popullit i rekomandon Kryetarit të Komunës që të tërheq akt – vendimet e kontestueshme dhe të kthejë administratorët e larguar në objektet e komunës dhe në vendet e punës ku kanë qenë para se të silleshin vendimet e kontestuara./koha