Gjykimi për të akuzuarin e pestë në “Dhunë në Qendër” vazhdon nesër


Sot në Gjykatën penale-Shkup filloi dhe përfundoi debati i përgjithshëm në procesin gjyqësor kundër Jordan Ristevskit, i akuzuari i pestë në lëndën e PSP-së “Dhunë në Qendër”, i cili në seancën e sotme me vetëiniciativë e pranoi fajin. Gjykimi vazhdon nesër.

Gjykimi për 13 të akuzuarit të tjerë në lëndën “Dhunë në Qendër”, është caktuar për më 7 dhjetor.

I akuzuari Ristevski sot papritmas e pranoi fajin dhe para gjykatësit dhe prokurorëve të PTHP-së vendosi të përfaqësohet vetë, pa ndihmën e avokatit. Mbrojtësi i tij i deritanishëm Boro Ristevski, e anuloi autorizimin për përfaqësim. sepse, siç tha, edhe vetëm është befasuar nga pranimi i fajit të klientit të tij.

“Pas seancës së fundit gjyqësore i shqyrtova veprat për të cilat akuzohem, dua të them se e pranoj fajin e bërë dhe ndjej keqardhje të thellë”, tha Ristevski në sallën gjyqësore.

Paraprakisht, siç njofton MIA, prokurorja Fatime Fetai kërkoi që procedura për të të ndahet dhe gjykimi për të vazhdojë menjëherë.

Faj për ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013, paraprakisht pranoi edhe i akuzuari i katërt Tomislav Lazarov, i cili në procedurë të rregullt moti dënim me kushte prej gjashtë muajve, nëse në afat prej dy viteve nuk bën ndonjë vepër tjetër penale.

Në seancën e sotme gjyqësore mori pjesë edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili akuzohet në lëndë, ndërsa në dalje nga salla gjyqësore deklaroi se nuk ndihet fajtor për akuzën dhe se nuk ka frikë nga asnjë sanksion.