Gjykimi për “Monstrën” vazhdon më 1 korrik


Më 1 korrik do të vazhdojë seanca për lëndën “Monstra” e Prokurorisë Speciale Publike për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës. Gjykimi ishte shtyrë për shkak të pranisë së pasiguruar të dy dëshmitarëve të cilët sot duhej të dëshmonin. Për dëshmitarët Dragi Ivanovski dhe Dime Veskov është kërkuar shoqërim policor.

Gjatë gjykimit, gjykatësi Osman Shabani kërkoi me telefon informatë nga stacionet policore Butel dhe Gazi Babë përse nuk janë sjellë dëshmitarët të dëshmojnë, me ç’rast mori përgjigje se Dragi Ivanovski ishte i pakapshëm, shtëpia e cila është cekur si adresë e tij ishte shitur.

Për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski,  Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata supreme në dhjetor të vitit 2017 i hoqi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, dhe u caktoi masa kujdesi.

Pas heqjes së aktvendimeve, rastin “Mosntra” e mori PSP-ja dhe lënda u kthye në rigjykim.