Gjykata e Apelit u’a vazhdoi arrestin shtëpiak Kamçevit, Pandeleskit dhe Josifoviqit


Në propozim të Prokurorisë Speciale Publike, Gjykata e Apelit Shkup ua vazhdoi masat e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve, personave të dyshuar Jordan Kamçev, Cvetan Pandelevski dhe Nenad Josifoviq në lëndën “Perandoria”.

“E informojmë opinionin se pas propozimeve të dorëzuara nga ana e Prokurorisë publike për ndjekje të veprave penale të lidhura dhe të cilat rrjedhin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, nga ana e Gjykatës së Apelit Shkup janë sjellë vendime me të cilat vazhdohen masat e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve për personat e dyshuar Jordan Kamçev, Cvetan Pandelevski dhe Nenad Josifoviq”, kumtuan nga PSP-ja.

Nga PSP-ja informojnë se për personin e dyshuar Todor Mirçevski, përveç masës tani më të shqiptuar të kujdesit  – marrje të pasaportës, deri tek Gjykata themelore Shkupi 1 – gjykatësi i procedurës paraprake, është dorëzuar kërkesë për përcaktimin e masës shtesë të kujdesit – paraqitje në gjykatë njëherë në javë tek personi zyrtar.

Për të dyshuarën Zorica Arsovska, megjithatë, siç është theksuar në kumtesë, përveç masës tani më të shqiptuar të kujdesit – marrje të pasaportës, deri tek Gjykata penale – gjykatës i procedurës paraprake, është dorëzuar kërkesë për përcaktimin e masave shtesë të kujdesit – paraqitje në gjykatë njëherë në javë tek personi zyrtar, ndalesë për vizitë të hapësirave afariste ku e dyshuara punon, si dhe ndalesë për ndërmarrje të aktiviteteve të caktuara të punës nga shtëpia dhe të cilat janë të lidhura me personat ligjorë – lëndë të hetimit.