Gjykata caktoi arrest shtëpiak për Janakieskin, Ristovski mbetet në “Shutkë”

Këshilli Penal i Repartit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 – Shkup sot solli vendim me të cilin masa e paraburgimit për ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski  ndryshon në masën e arrestit shtëpiak, përderisa ish ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski mbetet në paraburgim në burgun “Shutka”.

Duke vepruar sipas ankesave të mbrojtjes së M.J. dhe S.R. të deklaruara kundër vendimeve të gjykatësit në procedurën paraprake për pranimin e propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit me të cilat vendime iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, Këshilli Penal sot mbajti seancë publike në prani të palëve.

“Pas prononcimit të palëve, si dhe vlerësimit të fakteve dhe dëshmive të shfaqura në ankesat dhe vendimet e gjykatësit në procedurën paraprake, Këshilli solli vendime me të cilat ankesa e M.J. hyn në fuqi, ndërsa vendimi i gjykatësit të procedurës paraprake ndryshohet me atë që ndaj të akuzuarit caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Për shkak se ekzistonin shkaqet nga neni 165 f.1 p.1 dhe 2 nga LPP i ndalohet të akuzuarit komunikimi me personat e përfshirë në ngjarjen penale juridike pa leje të gjykatës. Ankesa e të akuzuarit S.R. hidhet poshtë si e pabazë dhe konfirmohet vendimi i gjykatësit të procedurës paraprake”, kumtoi Gjykata Themelore – Shkupi 1.

Ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski si dhe ish ministrat Janakiseki dhe Ristovski të mërkurën ishin marrë në pyetje me urdhër të Prokurorisë Publike nën dyshimin për përfshirje në ngjarjet e 21 prillit. Veljanovski iu referua imunitetit të deputetit, përderisa Janakieskit dhe Ristovskit iu ishte shqiptuar paraburgim 30 ditor.