Gjykata Administrative ia kthen kompetencat Taravarit


Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari përmes rrjetit social Fejsbuk e ka publikuar aktvendimin e Gjykatës Administrative në të cilën anulohet vendimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës për marrjen e kompetencave.

Paraqitja e Taravarit deri te opinioni ka të bëjë me rastin e marrjes së kompetencave dhe shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve në shkolla fillore dhe të mesme, për siç thuhet, “veprimeve joligjore të cilat i ka konstatuar Inspektorati shtetëror pranë Komisionit shtetëror në procedurë të marrëdhënies së punës në shkallë të dytë”.

Pas kontestit, Gjykata Administrative e ka mbështetur ankesën e komunës për vendimin e miratuar dhe ka sjell vendim më 5 gusht.

“Ministri i “kompetencave” dhe “doktori i shkencave juridike”, sipas gjykatës administrative nuk paska të drejtë për marrjen e kompetencave në arsim në komunën e Gostivarit.
I nderuari “docent”, kthe kompetencat, kërko falje publike dhe dorëzo dorëheqje të parevokueshme, jo për mua, po për nxënësit dhe mësimdhënësit në Gostivar, të cilët i torturon tash më 2 vjet! Drejtësia doli në shesh!”, ka shkruar Taravari.

Kompetencat në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve në shkolla pas nëntë muajsh përsëri i janë kthyer Komunës së Gostivarit. Pasi emëroi drejtorë, Taravarit përsëri iu morën kompetencat.