Gjorgji Filipov kandidati i parë për president në konkursin e LSDM-së


Ish-ambasadori Gjorgji Filipov është kandidati i pаrë për president të shtetit në konkursin partiak të LSDM-së, që është i hapur deri më 19 shkurt.

Ai konsideron se do të jetë president i mirë konsensual edhe pse përmendi se do të ishte më adekuate të përdoret termi kandidat i përbashkët, sepse siç tha, “konsensual” ende nuk është term i definuar qartë, që do të duhej të thotë mbështetje prej 75 për qind të popullatës apo partive politike.

“Do të veproj sipas parimit se jemi një shoqëri. Të gjithë dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe siguri, me ajër të pastër dhe të shëndetshëm, arsim cilësor, shëndetësi të mirë”, tha Filipov në konferencën e sotme për shtyp.

I pyetur përse ka vendosur të kandidojë në konkursin e LSDM-së, e jo të shkojë si kandidat i pavarur apo ndërkaq të lajmërohet në konkursin e VMRO-DPMNE-së, ai theksoi se qëndrimet dhe vizionet e tij ishin më të afërta me ato që për momentin i promovon LSDM për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë.

“Përveç që kam vizion  për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë sipas zgjedhjes sime, kam edhe plan dhe strategji për realizimin e tij”, theksoi ai.

Filipov është doktor i shkencave teknike. Ishte ambasador në Gjermani prej vitit 2005 deri nëm vitin 2010 dhe në Austri prej vitit 2010 deri në vitin 2014.