Gjithsej 2.060 aplikime për votim në diasporë, prin Lubjana

Gjithsej 2.060 aplikime nga qytetarët për votim në përfaqësitë diplomatike- konsullore të Republikës së Maqedonisë në diasporë deri sot në ora 12 janë dorëzuar në KSHZ përmes ueb aplikimit www.dijaspora.sec.mk.

Siç ka njoftuar KSHZ, nga aplikimet, 2019 janë pranuar, 38 janë refuzuar, ndërsa fletëparaqitjet tjera janë në përpunim e sipër. Numër më i madh i aplikimeve për votim janë dorëzuar në Lubjanë – 172, në Londër – 114, Toronto – 111, Kanbera 88 etj. Numër më i vogël aplikimesh është regjistruar në Kiev dhe Prishtinë – nga një fletëparaqitje dhe Nju Delhi, Kajro dhe Doha – nga dy fletëparaqitje.

Votimi në diasporë do të realizohet në 29 shtator në përfaqësitë diplomatike- konsullore të Republikës së Maqedonisë ku janë pranuar më së paku 10 fletëparaqitje për votim.

Lidhur me të dhënat nga mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore, deri ditën e djeshme, gjithsej 4.466 qytetarë kanë kryer mbikëqyrjen e të dhënave në Zyrat rajonale të KSHZ-së.

Numër më i madh i qytetarëve kanë kryer mbikëqyrje në Manastir – 428, pasojnë Strumica – 420, Karposhi – 375, Radovishi – 240 dhe Ohri – 235.

Ndryshe, mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore do të zgjas deri në 23 gusht kur dhe do të mund të dorëzohen kërkesat për regjistrim, ndryshim apo fshirje të të dhënave në Listën zgjedhore, theksojnë në KSHZ.