Gjanaj: Maqedonia dhe Greqia do të përfitojnë nga presioni i ndërkombëtarve


Deputeti shqiptar i Brukselit, Ahmet Gjanaj, në një bisedë ekskluzive për Zhurnal thotë se bisedimet ndërmjet Maqedonisë e Greqisë për emrin e IRJM-së mund t’ishin bisedime të nevojshme për të zgjidhur një problem ndërmjet dy shtete fshinjë që aspirojnë të jetojnë me marrëdhënie fshinjësore normale.

“Si gjithmonë në këtë pjesë të kontinentit, Greqia shfrytëzon pozicionin e saj e të qenurit një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-së për të imponuar bisedime të detyruara dhe duke kërkuar një kompromis në favorin e saj duke lozur lojën e saj të preferuar ballkanike të kërcënimit me veto për anëtarësimin e Maqedonisë në këto dy institucione të rëndësishme”, thotë për Zhurnal, Ahmet Gjanaj, deputet shqiptarë në Bruksel.

Sipas tij, duke parë letargjinë e partive politike shqiptare dhe të faktorit politik shqiptar në rajon, Greqia dhe Maqedonia do të përfitojnë nga presioni i ndërkombëtarve jo vetëm për të arritur një marrëveshje të thjeshtë por për të dobësuar gjithashtu elementin shqiptar duke arritur një kompromis me një emër sllav që do të pranohet ndërkombëtarisht vetëm në versionin sllav, i papërkthyeshëm në gjuhën shqipe pavarësisht se është kombësi shtetformuese në atë vend.

“Bashkë me Liridon Lika, ligjërues dhe studiues në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë, të Shkencave politike dhe të Kriminologjisë pranë Universitetit të Liezhit (Belgjikë) dhe Arben Fetai, magjistër i shkencave politike (marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime evropiane), si dhe lobist në fushën e çështjeve evropiane dhe të zhvillimit ndërkombëtar, kemi përpiluar një apel faktorit politik shqiptar për t’u marrë urgjentisht më këtë çështje përndryshe do të ketë pasoja të pariparueshme në pozicionin e shqiptarëve në rajon dhe për identiten kombëtar të shqiptarëve në këtë shtet”, theksoi deputeti Gjanaj për Zhurnal.

Po të arrihet në një marrëveshje, shprehet ai, në bazë të propozimit të përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së Mattheë Nimetz me versionin sllav të emrit ashtu siç është zbardhur nga mediat, shumë shpejt Maqedonia do të jetë anëtare e NATO-së dhe e pozicionuar më mirë se shtetet tona, Shqipëria e Kosova, në raport me BE-në por me elementin sllav më të spikatur se sa ai shqiptar.

“Nën kontekstin e strategjisë së re për anëtarësimin e Ballkanit përendimor të Komisionit evropian, Shqiptarët do të jenë të rrethuar me vende që vërtet nuk do të mund formalisht t’i pengojnë në rrugën e tyre të integrimit evropian siç e parashikon strategjia e re por që praktikisht nuk do të reshtin së tentuari për të penguar shqiptarët në rrugën e tyre integruese ose dhe më keq për t’u kërkuar lëshime të reja qoftë për territore qoftë për të drejta të përforcuara për minoritetet qoftë dhe të dyja. Si rrjedhojë shqiptarët do të dobësohen rrënjësisht dhe proçesi integrues do të ketë shërbyer krejtësisht mbrapsht për t’i bërë zap shqiptarët”, vlerësoi Gjanaj.

Ai potencon se liderët shqiptarë në Maqedoni nuk janë aspak në lartësinë e detyrës por kjo nuk ndryshon nga liderët e tjerë shqiptarë në rajon.

“Ata kanë më shumë të bëjnë me forcimin e tyre brenda llojit dhe jo të fuqizojnë pozicionin e shqiptarëve në Rajon. Pa një zgjim urgjent të faktorit politik shqiptar në Rajon, Maqedonia do të forcohet por jo më si një shtet dykombësh. Shqiptarët e Maqedonisë madje kanë marrë vendimin ta përshpejtojnë këtë proçes duke votuar për partitë sllavo-maqedonase në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale”, tha për Zhurnal, Ahmet Gjanaj, deputet shqiptarë në Bruksel.