Fushata e referendumit për emrin në Maqedoni do të fillojë me 10 shtator

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi sot ka njoftuar se fushata e referendumit për marrëveshjen me Greqinë do të fillojë më 10 shtator, raporton Portalb.mk.

“Më 10 shtator do të nis fushata e referendumit. Derisa zgjat fushata, Kuvendi nuk punon, me qëllim që të mos shndërrohet në fushatë dhe propagandë. Nuk anashkalohet mundësia që edhe deputetët të përfshihen në fushatë, në vëzhgim të procesit, sepse ato janë iniciatorë për shpalljen e referendumit. Por deputetët nuk duhet të ndikojnë në rezultatin e referendumit. Në procesin e referendumit mund të marrin pjesë edhe institucionet tjera dhe OJQ-të”, tha Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi gjithashtu njoftoi se mosshqyrtimi i dy amendamenteve që u parashtruan nga opozitarja maqedonase për shpalljen e referendumit nuk ka pas marrëveshje paraprake, por për shkak se: ” Që të shqyrtohen të njëjtat, duhej përkrahje e shumicës, kurse shumica ka vepruar në bazë të vendimeve të dala nga takimi i liderëve, prandaj dje të njëjtat nuk u shtjelluan”.

Përndryshe, vendimi për shpalljen e referendumit sot është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.

Ndryshe, dje me 68 vota “për” Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shpalli datën për mbajtjen e referendumit që është 30 shtator.