Frçkoski ka një këshillë për Talat Xhaferin

Lubomir Frçkoski, ligjërues në Fakultetin Juridik të Shkupit i cili njëherësh ishte dhe një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit, tha për Radion Evropa e Lirë se presidenti Ivanov duket qartë se nuk vepron në bazë të kompetencave që ka si kryetar shtetit, por ai vendimet i merr në bazë të interesave dhe direktivave të partisë që e ka deleguar, në këtë rast nga VMRO DPMNE.

Ai thotë se shumica parlamentare, nuk i ka dy të tretat e votave që ta vë para përgjegjësisë Ivanovin, çka atij do të mund t’i kushtonte edhe me post.

“Në këtë rast, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka të drejtë të ndërmarr kompetencat kushtetuese që i takojnë si zëvendëspresident kur kryetari i shtetit nuk është prezent në shtet, edhe pse në këtë rast presidenti është këtu, por ai refuzon të dekretoj ligjin në fjalë. Pra, formë analoge, kryetari i Kuvendit në këtë rast mund të veproj si zëvendëspresident i shtetit dhe ta nënshkruaj ligjin në mënyrë që ligji të shpallet në Gazetën Zyrtare“, thotë Frçkoski.