Fqinji i të vrarit Filip në rastin “Monstra” ka qenë në liqenin e Smillkovës dy orë para se të ndodhej vrasja


Sasho Lazarevski, fqinji i Filip Sllavkovskit, njëri nga të vrarit nga pesë djemtë në Liqenin e Smillkovës sot dëshmoi në Gjykatën Penale, transmeton Portalb.mk.

Dy orë para se djelmoshat të vriten ai ka qenë në liqen dhe pastaj ka shkuar në shtëpi.

“Kam shkuar për peshkim në orën 10 e 30 dhe kam ndenjur deri në orën 17 e 30. Kam qenë në barkë në liqen dhe kur kam dalë nuk ku ishte asnjë peshkatar jashtë. E kam parë veturën e Filipit, por ai dhe shokët e tij nuk ishin. Kur u ktheva kam rënë herët në gjumë, ndërsa fëmijët më kanë zgjuar në orën dy pasmesnate. Ata më thanë se në Facebook kanë lexuar se i kanë vrarë pesë djem te Liqeni i Smillkovës”, theksoi dëshmitari Lazarevski.

Ai në mëngjes duke e dërguar bashkëshorten në punë, në rrugë e ka parë babin e Filipit.

“E pash se ai nuk dinte asgjë. Nuk i kam treguar direkt, por e pyeta se a është kthyer Filipi në shtëpi. Ai tha se nuk është kthyer”, kështu tregon ngjarjen Llazarevski.

Ditën e vrasjes ai tha se nuk ka vërejt diçka të jashtëzakontë, sepse ka qenë i koncentruar në punë. Ai tha se deri sa ka qenë në liqen, kanë hyrë dy peshkatarë në barkë, të cilët kishin ardhur me veturë xhip, por shpejt pastaj ishin larguar. Ai theksoi se atë veturë e kishte parë për herë të parë.

Në pyetjen e prokurores Fatime Fetai se a mund ta njoh veturën nëse e sheh në fotografi, ai tha jo.

———————————————————————————————————

12:09 -Në seancën e sotme gjyqësore të rastit “Monstra”, dëshmitari Ahmet Bekir, i cili seancën e kaluar gjatë dhënies së dëshmisë u alivanos, sot ka vazhduar me dëshminë e tij në lidhje me atë se çfarë ka parë në natën e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillokovës, raporton Portalb.mk.

Për dallim nga seanca e kaluar, Bekir sot tha se natën e ngjarjes ka pasi ka shkuar në shtëpi pas ngjarjes së ndodhur, ka shkuar te ai një polic me emrin Vaxhid, i cili jeton në Shutkë dhe i ka dërguar në polici “atë natë kur dëgjuam të shtëna unë i lajmërova djalin tim Elvisit që të vijë të na marrë nga liqeni pasi u frikësuam shumë, pasi kemi shkuar në shtëpi ka ardhur polici Vaxhid dhe na ka thënë të bëhemi gati sepse do të shkojmë në polici, por nuk na ka treguar për çfarë. Vaxhidin nuk e kam njohur më parë, por edhe pas asaj nate nuk kam pasur kontakt me të. Ai na tha se unë do t’ju marr në polici dhe do t’ju kthej, mos keni frikë”, tha Bekir.

Prokurorja Fatime Fetai dhe pala mbrojtëse parashtruan disa pyetje në lidhje me atë se prej nga e di ai se polici jeton ne Shutkë, ai nuk dha përgjigje konkrete duke thënë se ka marrë vesh prej shokëve.

Personi Vaxhid për të parën herë përmendet në seancë, ndonëse kishin dëshmuar edhe shokët e Bekirit, por ata nuk e kanë përmendur në dëshmitë e tyre.

Sot, Bekiri gjithashtu i është ankuar Fatime Fetait që të ketë kujdes gjatë parashtrimit të pyetjeve duke pasur parasysh se seancën e kaluar iu përkeqësua gjendja shëndetësore, ai në një moment Fetait i tha çka do të bëhet nëse gjatë seancës së kaluar më ndodhte mua diçka.

————————————————————————————————————-

Në Gjykatën Penale Shkupi 1, sot vazhdon seanca e radhës gjyqësore ku pritet që të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve, njofton Portalb.mk.

Deri më tani janë dëgjua tre dëshmitarë, Bajram Memedov, Kemal Nesim dhe Amet Bekir, të cilit në seancën e kaluar gjatë dëshmisë i ka humbur ndjenjat në Gjykatë dhe për atë sot pritet që të vazhdojë dëgjimi i rrëfimit të tij.

Në seancën e kaluar, ndonëse dëshmitarët kanë pasur deklarata kundërthënëse mes vete, megjithatë të tre kanë thënë se natën e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, e kanë parë një person me automatik, i cili i ka kërcënuar se do t’i vrasë, ndërkaq më pas kanë dëgjuar të shtëna, pas së cilës i kanë parë trupat e vdekur të 4 djelmoshave të rinj. Askush nga dëshmitarët s’e ka parë trupin e pajetë të të vrarit të pestë, gjegjësisht peshkarit.

Sipas dëshmive të tyre, ata fillimisht janë mbledhur për të shkuar për të peshkuar në liqenin e Smillkovës. Ata kanë shkuar tje, ndërkaq më pas kanë ardhur 4 dejm të rinj të cilët kanë kërkuar që t’u jepet krimba për të peshkuar. Pas një kohe, djemt kanë ikur nga ai vend, ndërkaq personat në fjalë, pra dëshmitarët kanë ndenjur derisa është errësuar. Pasi është errësuar, ata janë nisur për të shkuar në shtëpi dhe gjatë udëhs, në një liqen pak më lartë (shih në hartë – liqeni ku ka ndodhur vrasja), u ka dalë një person me automatik dhe u ka thënë se është polic dhe u ka thënë të ikin se do t’i vret. Ata kanë ikur prej aty dhe kanë shkuar te liqeni i vogël ku kanë peshkuar paraprakisht dhe aty kanë ndenjur afër dy orë.

Pasi janë kthyer, i kanë parë trupat e pajetë të katër djelmoshave dhe kanë ikur shpejtë në shtëpi pa lajmëruar policinë.

Gjatë rrëfimit të dëshmisë, dëshmitarit të parë, Bekir Ahmet iu përkeqësua gjendja shëndetësore për shkak të presionit psikologjik, ndërkaq ashtu siç u mësua i njëjti ka qenë i sëmurë prej astmës dhe u dërgua me automjet të urgjencës në ambulancë, dëshmia e tij vazhdon në seancën e radhës gjyqësore, prej aty ku ka ngelur.

Rasti “Monstra” që nga muaji mars është në duar të Prokurorisë Speciale Publike. Prokurorja speciale, Katica Janeva tha se janë të përgatitur ta prezantojnë lëndën para gjykatës.

Vrasja te Liqeni i Smillkovës ka ndodhur më 12 prill 2012 ku u vranë djemtë Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаqevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe Borçe Stevkovski.

Për këtë vrasje të pesëfishtë u hap lëndë me emrin “Monstra” ku me dënim të përjetëshëm u dënuan Alil Demir, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta, ndërkaq Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të pakapshëm për autoritetet e rendit.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i liroi të akuzuarit Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u përcaktoi masë kujdesi.