(Foto) Është gjetur një trup i pajetë në lumin Lepenc


Ekipet e kërkimit kanë gjetur një trup të pajetë gjatë kërkimit për dy policët e zhdukur në ditën e gjashtë të kërkimeve. Ekipet e kërkimit janë parë duke e nxjerrë një trup nga lumi.

Për të pestën ditë me radhë, policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe mekanizmat tjerë për emergjenca, kanë vazhduar kërkimet për dy policët e zhdukur pas aksidentit me veturën zyrtare në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, të cilët besohet se kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Kërkime po bëhen edhe nga autoritetet në Maqedoni, ku MPB ka aktivizuar edhe njësitin special.

“Ne veprojmë bashkërisht me kolegët e Kosovës, në fakt u japim mbështetje për këtë aksion të gjetjes së dy policëve të humbur. Kanë punuar ekipe të përbashkëta, normalisht këtë aksion e udhëheq policia e Kosovës, ne qëndrojmë si rezervë. Në momentin kur kërkohet ndihmë, ne aktivizohemi për çfarëdo lloj ndihme që kërkohet. Janë aktivizuar edhe njësitet speciale, por ende hetimet nuk po japin rezultate, si në anën e Kosovës po ashtu edhe tek ne”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, konfirmoi se trupi i pajetë i gjetur në Lepenc, i përket njërit nga policët që po kërkoheshin që nga e shtuna.

“Një trup i njërit nga zyrtarët e policisë është gjetur pak kilometra larg vendit të ngjarjes në drejtim të Hanit të Elezit”, tha zëdhënësi Gashi.

Kërkimeve për gjetjen e dy policëve gjatë ditës së sotme i është bashkur edhe zhytësi i njohur nga Kosova, Ismail Kasumi.

Kasumi kishte refuzuar që të shkonte në kërkimin e dy policëvë të zhdukur pasi priste ftesën e autoriteteve kompetente për të shkuar në vendin ku dyshohet se gjenden trupat e policëve të zhdukur.

Dy policët, Malsor Dashi e Armend Trena mesnatën e së shtunës janë përfshirë në një aksident në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit. Si pasojë e kësaj, të dy policët rezultojnë të kenë humbur në lumin Lepenc.