(FOTO) Laboratori i drogës në Reçicë të Vogël, në Batincë u zbulua magazinë me materiale të tij


Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke punuar në zbardhjen e rastit të laboratorit të drogës në Reçicë të Vogël, në fshatin Batincë të Shkupit ka gjetur magazinë ku janë ruajtur mjete dhe materiale të laboratorit të drogës në Reçicë të Vogël të Tetovës, njofton Portalb.mk.

“Reparti i zbulimit të krimit të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke punuar në zbardhjen e rastit të laboratorit të drogës në Reçicë të Vogël, njofton se në fshatin Batincë të Shkupit është gjetur magazinë e huazuar nga grupi për prodhim të substancave kemikale dhe materiale të tjera, si dhe mjete të nevojshme për përgatitjen dhe prodhimin e drogës. Janë gjetur edhe automobila, celularë, kartela telefonike, armë, municion dhe të tjera”, njoftojnë nga MPB.

Nga MPB njoftuan se sasia e drogës së konfiskuar ditë më parë arrin deri më 125 kilogramë, minimum më shumë se gjysmë milion tableta të drogës sintetike.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se ka hapur hetim kundër dy shtetasve të Republikës së Serbisë dhe pesë shtetasve të Maqedonisë të dyshuar për laboratorin e drogave sintetike të cilat janë zbuluar në një shtëpi në Tetovë. Për 7 personat, Prokuroria ka kërkuar që gjykatësi i procedurës paraprake t’u shqiptojë masë paraburgimi prej 30 ditëve. Ata janë të dyshuar se kanë kryer vepër penale “Prodhim të paautorizuar dhe lëshim në treg të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 nga Kodi Penal.