Fillon gjykimi për sulmuesit e Ziadin Selës


Në Gjykatën penale sot duhet të fillojë gjykimi i të akuzuarve për tentim për vrasje të deputetit Ziadin Sela më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Në këtë rast të akuzuar janë 10 persona: Kire dhe Cane Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavllovski – Kobra.

Procesin gjyqësor do ta zhvillojë gjykatësja Sllavica Andreeevska. Lideri i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela u lëndua rëndë gjatë sulmit dhe dhunës në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.

Për ngjarjet në Kuvend tashmë janë shqiptuar aktvendime gjyqësore për dy lëndë. Në të parën, nëntë persona pjesëmarrës në dhunë morën dënime me kusht, ndërsa në rastin e dytë Pançe Angellov, sulmuesi i Radmilla Shekerinskës mori dënim me burg prej katër vitesh.

Në rrjedhë është procedura hetimore edhe për lëndën që e hapi Prokuroria publike për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” për çka janë të dyshuar 36 persona.