Fillon gjykimi për përgjimet masovike, Jankullovska dhe Mijallkov para gjykatës


Në Gjykatën Penale sot do të fillojë gjykimi për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike të njohur me emrin “Target – Fortesa”, për përgjime joligjore ku të akuzuar janë dymbëdhjetë persona, njofton Portalb.mk.

Pritet që për këtë lëndë në bankën e të akuzuarve të ulen ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijallkov. Mes të akuzuarve janë edhe ish-shefat e DSK-së, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski për të cilët është miratuar ekstradimi nga Gjykata e Selanikut ku gjenden në paraburgim.

Në këtë rast në mesin e të akuzuarve janë edhe Toni Jakimovski, ish-shefi i Kabinetit të Mijallkovit.

Deri tani për këtë rast ka pasur vetëm një seancë gjyqësore, mirëpo është shtyrë për shkak mungesës së njërit nga avokatët e Mijallkovit. Tani lënda do të fillojë prej fillimi sepse sipas orarit të ri të gjykatës, këtë lëndë nuk do ta udhëheq më gjykatësja, Lenka Davitkova, por Xhaneta Begtoviq.

Sipas aktakuzës për lëndën “Target” përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008 deri 2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor.