Fillojnë përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi


Qeveria e Maqedonisë përgatitet për referendum për marrëveshjen e emrit, ndërsa qeveria greke dëshiron shumicë sa më të madhe parlamentare pasi partneri i koalicionit dhe ministër i Mbrojtjes Panos Kammenos në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp tha se për Marrëveshjen e Prespës duhet të vendos populli në referendum ose të ketë zgjedhje, përderisa nuk votohet me shumicë të rritur prej 180 deputetëve.

Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se nuk dihet pyetja e referendumit, por potencoi se në pyetjen do të përfshihen marrëveshja me Greqinë, me BE-në si dhe me NATO-n, transmeton Agjencia e Lajmeve MIA.

“Me faktorët politikë dhe sektorin civil do të konfirmojmë nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligues, por në çdo rast rezultati do të jetë i obligueshëm. Kjo do të thotë se nëse referendumi kalon do të duhet ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, të votojmë në Parlament dhe të punojmë, posaçërisht në reformat dhe në proceset të cilat vijojnë”, tha Zaev.