Filloi debati i Komisionit për punë të jashtme në Parlamentin grek


Komisioni për mbrojtje kombëtare dhe punë të jashtme i Parlamentit grek sot e filloi seancën në të cilën shqyrtohet projekt-ligji për “Ratifikimin e Protokollit për Marrëveshjen veriatlantike për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë Veriore”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Raportues për projekt-ligjin janë deputeti i Syrizës dhe ish ministër i mbrojtjes civile, Nikos Toskas dhe deputeti i Demokracisë së Re, përgjegjës për politikën e jashtme, Jorgos Kumucakos, të cilët do të kenë 15 minuta për fjalimin e tyre, ndërsa anëtarët tjerë të komisionit nga shtatë minuta.

Sipas kryetarit të Komisionit Konsatainos Duzinas, debati i sotëm do të përfundojë me votimin e të gjithë anëtarëve, ndërsa pritet kjo të ndodh rreth orës 18 sipas kohës lokale apo më herët.

Para fjalimit të dy raportuesve, lideri i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, parashtroi pyetje për kushtetutshmërinë lidhur me vendimin që protokolli të ratifikohet me 151 deputet, duke iu referuar nenit konkret të Kushtetutës greke tha se për ratifikim duhet të kemi shumicë, gjegjësisht vota prej 180 deputetëve. Kamenos potencoi se edhe nesër në seancë plenare do ta parashtrojë pyetje konkrete.

Ministri alternativ i Punëve të Jashtme Jorgos Katrugalos iu përgjigj Parlamentit grek se tashmë ka ratifikuar Protokoll të ngjashëm, atë për inkuadrimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 dhe atëherë asnjëri nuk ka parashtruar pyetje për ratifikim me shumicë.

Projekt-ligji nesër duhet të miratohet në seancë plenare në Parlamentin grek, që do të përfundojë me votimin e deputetëve.