Filipçe: Në shtator konkurs për të gjithë specializimet shtetërore


Ministria e Shëndetësisë në shtator do të nënshkruajë konkurs për gjithë specializimet shtetërore të cilat janë të nevojshme në institucionet shëndetësore në vend, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai shtoi se është bërë analizë e nevojave të specialistëve, ndërsa është siguruar edhe numër adekuat i mentorëve për disa specializime që kërkohen në institucionet shëndetësore.

Sipas Filipçes, edhe punësimi i mjekëve të rinj nuk mund ta zgjidh këtë problem, pasi mjekët duhet të drejtohen në specializime dhe pas disa vitesh të marrin punën e tyre.

“Në ato vende ku ka mungesë të specialistëve adekuate, ne bëjmë marrëveshje mes shtëpive të shëndetit dhe klinikave në Shkup. Për shembull, mungesën e gjinekologëve e kemi zgjidhur në disa qytete në vend”, tha Filipçe.

Ai tha se në gjashtë muajt e fundit në institucionet shëndetësore në vend janë pranuar 2 mijë mjek dhe personel mjekësor, me qëllim që të mbulohet mungesa e kuadrit dhe të mundësohet funksionimi normal i institucioneve shëndetësore. /SHENJA/