Filipçe: Edhe opozita është përfshirë në debatin për Qendrën e re klinike


Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe kryeministri Zoran Zaev biseduan me deputetë nga Kuvendi i Maqedonisë për lokacionet e mundshme për ndërtimin e Qendrës së re Klinike.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se qëllimi është që të kyçet edhe opozita në debat, kurse takimi është realizuar dje pasdite në Kuvendin e Maqedonisë. Janë prezantuar lokacionet e propozuara me qëllim që të shqyrtohen të gjithë aspektet e mundshme për të gjetur një vend të përshtatshëm për këtë objekt.

“Për një projekt kaq të madh me interes kombëtar siç është Qendra klinike, në debat e kemi përfshirë edhe opozitën. Nuk ka dallime partiake, kombëtare apo dallime të tjera për ndërtimin e Qendrës klinike. Nevojitet koordinim, funksionim interaktiv”, theksoi Filipçe.

Në kumtesën e dërguar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se lokacioni për Qendrën e re klinike duhet të jetë i përshtatshëm për transport, i arritshëm, ekonomikisht i arsyetueshëm dhe mundësisht i papërdorur për zhvillim të mëparshëm urban.