Eva e kërkon të ëmën e saj, por nuk e di se ajo nuk do të kthehet kurrë!


Katërvjeçarja Eva nga fshati Debresht të Gostivarit dje në mëngjes e kërkoi të ëmën e saj menjëherë pasi u zgjua. Të mërkurën mbrëma Evën mezi e zuri gjumi pa të. Ajo asnjëherë më parë nuk kishte fjetur vetëm me babain dhe vëllaun e saj të vogël. Mezi e kanë bindur se e ëma patjetër është dashur të qëndrojë në punë dhe se do të vijë menjëherë pasi që të mbarojë detyrimet e saj. Ende askush nuk e merr guximin t’i thotë asaj se e ëma Valdetja  asnjëherë më nuk do të shkel pragun e shtëpisë. Jeta e 29-vjeçares morri fund pardje në aksidentin i cili ndodhi në fshatin Laskarcë, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa mbi tridhjetë të tjerë morrën plagë të rënda.

Valdete Hamiti është nga fshati Debresh, i cili është ngjit me Gostivarin. Në fakt, ajo është me prejardhje  nga Tetova, por dashuria e bëri atë të martohet tridhjetë kilometra larg. Ajo ishte e punësuar në Universitetin Nënë Tereza në Shkup. Ka qenë e lumtur në familjen ku është martuar, nënë krenare e dy fëmijëve: Evës dhe Lavdimit i cili është vetëm 10 muaj.

“Si gjithmonë edhe të mërkurën mbrëma e prisnim të vjen në shtëpi në kohën e zakonshme. Me të njëjtin autobus vinte pasi mbaronte punën.  Në mbrëmje, kur dëgjuam se një autobus që po udhëtonte drejt Gostivarit është rrokullisur na kapi frika. E kërkuam në telefon, nuk paraqitej. Zemra na dogji menjëherë. Me burrin e saj morrëm veturën dhe shkuam për ta kërkuar“, rrëfen kushëriri i Valdetes, të cilin e takuam para shtëpisë të së ndjerës në Debresh.

Një numër i madh i njerëzve vinin për t’i ngushëlluar familjarët. Lotët rridhnin pa ndalë.

“Kur arritëm në vendin e fatkeqësisë-çfarë të shohim. Një numër të madh të të plagosurve, të vdekur, gjak, piskëllima… Horror. Me nxitim e kërkonim Valdeten, por ajo nuk ishte askund. Na thanë se të lënduarit ishin dërguar në spital. Morrëm rrugën për në Shkup, shkuam tek spitali. Shohim listën e të lënduarve-Valdetja nuk ishte. Për fat të keq kuptuam se ajo nuk është gjallë. Mbetëm pa frymë, thonë të afërmit e Valdetes.

Ata thonë se pjesa më vështirë ka qenë kur janë kthyer në shtëpi. Eva ka vrapuar drejt derës, por e ëma e saj nuk ishte.

“Lavdimi ka vetëm dhjetë muaj, ai ende është i vogël, por Eva edhe atë si ishte mësuar në praninë e së ëmës. Le të na jep Zoti forcë për t’u ballafaquar me këtë”, thonë mes lotësh familjarët e Valdetes.

Në Gostivar është shpallur tre ditë zije. Nuk ka muzikë në kafene, qytetarët i kryejnë detyrimet e tyre në heshtje. Shkollat kanë punuar, por me orar të shkurtuar..

Tekstin e plotë mund ta lexoni në linkun në vijim: https://nezavisen.mk/mk/vesti/2019/02/128006/

„Независен Весник“