Është identifikuar viktima e tretë në aksidentin në Leskovc


Është identifikuar edhe viktima e tretë e aksidentit të autobusit që dje kishte ndodhur në Leskovc. Ajo është 63 vjeçarja V.K nga Kavadari. Paraprakisht ishte konfirmuar identiteti i viktimave tjera, gruaja 68 vjeçare nga Koçani me iniciale K.K dhe burri 68 vjeçar nga fshati i Krushevës Buçin me iniciale V.Sh.

Në Serbi ende po hetohet për aksidentin e trafikut, ndërsa shoferi i autobusit me tabela të Strugës, është në paraburgim, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Beogradi.

Në aksidentin janë lënduar 32 persona. Gjashtë personat e lënduar rëndë pas aksidentit të komunikacionit në Leskovc gjenden në Qendrën klinike në Nish, ndërsa tetë të lënduarit lehtë gjenden për mjekim në spitalin e Leskovcit.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot në Ohër deklaroi se udhëtarët e lënduar lehtë të cilët janë hospitalizuar në Leskovc, janë të gatshëm që të dërgohen për mjekim në Maqedoni, ndërsa për transportin e tyre po merren vesh me autoritetet serbe.

Udhëtarët të cilët janë në Nish, theksoi Filipçe, janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe do të duhet periudhë më e gjatë kohore për shërim dhe observim, dy janë në makinë respiratore, por në gjendje stabile.

Mbrëmë vonë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe me sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rshkovski i vizituan udhëtarët e lënduar në spitalet në Leskovc dhe Nish.
Siç lajmëron korrespodenti i MIA-s, te dy pacientë me lëndime të rënda në kokë dhe në shtyllën kurrizore gjendja shëndetësore ndiqet dhe janë të mundura intervenime kirurgjike. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe nevojitet që disa ditë të ndiqet gjendja, me çka me ndihmë të shërbimeve shëndetësore të Maqedonisë, të gjithë do të dërgohen për mjekim në Maqedoni.

Dymbëdhjetë personat tjerë me lëndime të lehta dhe dy fëmijët të cilët ishin të vendosur në hotelin “Apostoliq” në Leskovc, mbrëmë në mënyrë të organizuar ishin dërguar në Maqedoni.

Udhëtarët të cilët udhëtonin nga më shumë qytete të Maqedonisë për Vjenë me transportuesin “Euro bus” nga Veleshta e Strugës, ishin kryesisht mërgimtarë nga Maqedonia, ndërsa në momentin e fatkeqësisë të gjithë flinin.

Sipas dëshmitarëve, deri te aksidenti kishte ardhur për shkak të kushteve të këqija, akullit dhe shpejtësisë së madhe të shoferit të autobusit nga gati 100 kilometra në orë dhe mundësisë që shoferi të kishte fjetur.

Shoferi i autobusit e kishte humbur kontrollin, kishte dalë nga autostrada, pas çka ishte përmbysur disa herë. Falë intervenimit me kohë për vetëm gjysmë ore nga aksidenti të tetë automjeteve të ndihmës së shpejtë nga Nishi dhe Leskovci, të zjarrfikësve dhe kalimtarëve të rastit, të cilët i nxorën udhëtarët nga autobusi, është parandaluar ndonjë tragjedi më e madhe.

Ndihmë e madhe dhe e pakusht është ofruar edhe nga kryetarët e Nishit dhe Leskovcit nga institucionet e mjekësisë së këtyre qyteteve për shpëtimin e të lënduarve.