ERRC: Edhe dy raste të reja të abuzimit seksual në Shtëpinë “25 Maji”


Rasti me vajzën 13-të vjeçare rome R.I, e cila ka ngelur shtatzënë për shkak të përdhunimit, duket se nuk është i vetmi mes vajzave nën përkujdesje në Shtëpinë për fëmijë dhe të rinj me probleme edukative-sociale “25 Maji”. Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), ka marrë dëshmi të ngjashme për keqpërdorim seksual nga dy motra rome, të cilat gjithashtu, kanë qenë nën përkujdesje në Shtëpinë “25 Maji”./Portalb/

Megjithatë V.A (16) dhe L.A (13), shpeshherë janë zhdukur nga Shtëpia dhe zhdukjet e tyre nuk janë denoncuar në polici apo te prindërit.

Sipas dëshmive të tyre, një burrë më i vjetër i ka marrë nga Shtëpia për përkujdesje dhe i ka dërguar te Stacioni i vjetër hekurudhor në Shkup, ku i ka abuzuar seksualisht.

Nga ERRC thonë se nëna e tyre e ka denoncuar rastin në polici dhe i ka dërguar në gjinekologji, i cili ka konkluduar se vajzat vërtet kanë qenë viktima të dhunës seksuale.

Avokatja Senada Ali nga ERRC, për MIA deklaroi se Qendra i mbështet prindërit e tre vajzave të abuzuara seksualisht në ngritjen e procedurës gjyqësore kundër Shtëpisë “25 Maji”, Qendrës ndërkomunale për Punë sociale, si dhe kundër Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Ali theksoi se në ditën 26.01.2017, me Vendim 3 LPK-361/16 nga Gjykata Themelore Shkupi 2, gjykata ia ka kthyer të drejtat prindërore nënës të dy vajzave, por Qendra për Punë Sociale edhe krahas kësaj, ende, nuk i lejon ta merr kujdestarinë për fëmijët e saj.

Me vendim PA 3001-249 të Qendrës ndërkomunale për Punë Sociale të Shkupit, nga 5 nëntori i vitit të kaluar, elaborohet se nëna nuk ka kushte të përkujdeset për fëmijët e saj edhe krahas asaj që situata faktike nuk është konstatuar dhe nuk është konfirmuar tërësisht.

“Është parashtruar ankesë te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për mosimplementimin e aktgjykimit nga ana e Qendrës për Punë Sociale, për kthimin e vajzave nënës”, theksoi Ali.

Aktualisht dy vajzat u janë dhënë familjeve kujdestare. Të njëjtat kanë edhe motër më të vogël, e cila është Shtëpinë për fëmijë pa prindër “11 Tetori”.