Erdogan: Falenderoj Thaçin, “turp” për Haradinaj
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka falenderuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me arrestimin e 6 mbështetësve të Lëvizjes Hizmet dhe dërgimin e tyre në Turqi.
Nga ana tjetër Erdogan ka folur me tone zemërimi ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.
Problemi i dëbimit pa procedura ligjore ka shkaktuar mjaft debate politike në Kosovë, teksa Presidenti turk ka folur sërish lidhur me ktë çështje.
“Operacioni i fundit në Kosovë (Operacioni i MIT-it në Kosovë kundrejt strukturës së FETO-s në Ballkan) nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘Turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ato e bënë detyrën e tyre”, u shpreh Erdogan,
Reagimi i Erdoganit është i dyti brenda 24 orëve të fundit. Të shtunën, Erdogan paralajmëroi fundin e qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe protesta të kosovarëve kundër tij.
Në anën tjetër, Presidenti Hashim Thaçi, i ka dalë në mbrojtje Shefit të AKI-së dhe ka thënë se dëbimi i shtetasve turq ka ardhur pasi ata ishin të rrezikshëm për Sigurinë Kombëtare.