Emri, Ministria e Jashtme reteron nga optimizmi


Ministria e Jashtme reteron nga optimizmi i deritanishëm për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në një brifing me gazetarët nga ky dikaster thanë se në për momentin vendi po përballet me krizë të brendshme, me bojkotin e opozitës e cila veç tjerash akuzon pushtetin se me zgjidhjen e kontestit me Greqinë kjo Qeveri do t’i tradhtoj interesat nacionale andaj edhe refuzon ti përkrah reformat. Kjo situatë sipas Ministrisë, po e vë në pikëpyetje jo vetëm konsensusin e nevojshëm nacional, por edhe aktivitetet e mundshme për të eliminuar irredentizmin, për të cilën e akuzon Greqia. Në një situatë të këtillë, Qeveria akoma nuk e ka ndarë mendjen se kur dhe çfarë hapash do të ndërmerr për të ndryshuar emrat e objekteve të ndryshme kontestuese për Greqinë.

Ndryshimi i emrit të aeroportit, akoma është në fazën e “analizimit” se kur do të ishte më mirë të ndryshohej dhe në çfarë forme do të bëhej kjo. Megjithëse nga Ministria thonë se po bëjnë gjithçka për ta zgjidhur këtë çështje e cila është pengesa kryesore e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Nga kjo Ministri akoma pa qëndrim pozitiv rreth propozimeve të mundshme siç është “Maqedonia e Re” e cila kohët e fundit u përfol shumë në mediat greke. Nga Ministria thonë se nuk duhet pasur përshtypje se çështja e emrit është zgjidhur, pasi as që ka dikush idenë se si do të zgjidhet e njëjta, respektivisht se cili do të jetë epilogu i intensifikimit të negociatave dhe a do të jenë të suksesshme. Por gjithsesi thonë po bëjnë gjithçka për ta integruar vendin në strukturat euro-atlantike vitin e ardhshëm dhe se vazhdimisht po përpiqen t’i bindin shtetet anëtare se kjo gjë duhet të ndodhë.