Emri, mediat greke: Greqia bën pazare me Gjermaninë


Ndërsa zgjidhja e çështjes së emrit ka hyrë në finale, mediat greke shkruajnë për pazarllëqe të Greqisë me Gjermaninë. Nëse arrihet marrëveshje për emrin, masa për shkurtimin e pensioneve do të anulohej për 6 muaj, si “dhuratë” gjermane për Greqinë.

Për premtimin e këtillë të Berlinit për Athinën shkruan gazeta greke “Ta Nea”, duke analizuar se çfarë do të fitonte me këtë Greqia. Gazeta shkruan se kjo masë anti-krizë tashmë është votuar dhe se duhet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Anulimi 6 mujor do t’i përshtatej kryeministrit grek, Aleksis Cipras dhe planeve të tij zgjedhore.

Burime të besueshme evropiane, thonë se gjermanët i kanë premtuar Aleksis Ciprasit këmbim me dobi të fuqishme politike për të dhe për partinë Siriza, në rast se arrijnë marrëveshje për emrin me homologun Zoran Zaev. Bëhet fjalë për anulim 6 mujor të masës për shkurtimin e pensioneve. Me këtë, Qeveria do të ketë hapësirë të mjaftueshme dhe do t’i hapej rruga Ciprasit që të shpallë zgjedhje në maj të vitit 2019 – thotë e përditshmja “Ta Nea”.

Teksti i këtillë ka shkaktuar reagime të shumta. Opozita ka akuzuar qeverinë greke se është duke zhvilluar bisedime të fshehta. Ndërsa nga kabineti i Ciprasit thonë se “Shkrimet mizore të përditshme nëpër media” janë të panevojshme për komentim. Nga ana tjetër në Maqedoni koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski deklaroi se disa nga propozimet e deritanishme të palës greke për zgjidhjen e kontestit nuk kanë qenë aspak reale. Duke aluduar në identitetin, Pendarovski në intervistën për Radion Evropa e Lirë shtoi se në shekullin 21 është ofenduese të flitet për disa tema.

Dua të besoj se qasja e deritanishme greke ishte taktikë bisedimi ose strategji dhe se ata qëllimisht filluan për ne, me propozime radikale, që të arrijnë në një zgjidhje e pranueshme dhe e arsyeshme, e jo sipas disa perspektivave që sot mund të shihen vetëm në kokat e nacionalistëve të përbetuar me logjikë të shekullit 19 – deklaroi Stevo Pendarovski – Koordinator Nacional për NATO-n.

Një ditë më parë kryeministri Zoran Zaev konfirmoi se në bisedimet e Greqinë ka mbetur e hapur ende përmbajtja dhe shtrirja e emrit të ri eventual, ndërsa ka përparim për identitetin, shtetësinë dhe gjuhën. përdorimit dhe shtesës në emrin e përbërë. Zaevi përsëriti se është optimist për mbyllje të shpejtë të kësaj çështje.