Emri i ri kushtetues mund të vendoset në tekstet shkollore gjatë vitit të ardhshëm shkollor


Ekziston mundësia në vitin e ardhshëm shkollor nëpër tekstet shkollore të vendoset emri i ri kushtetues Republika e Maqedonisë të Veriut, por vetëm nëse qëndrimet harmonizohen në bazë të paritetit dhe nëse afatet për vitin e ri shkollor dhe programet mësimore e mundësojnë këtë.

Këtë sot në konferencë për media e deklaroi zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski i cili përmendi se megjithatë për momentin nuk mundet saktë dhe me përpikëri të tregojë nëse kjo do të ndodhë gjatë vitit të ri shkollor.

“Komisionet punojnë me ritëm të përshpejtuar, punojnë në bazë të paritetit, e ndjekin frymën e Marrëveshjes së Prespës. Nuk ekziston presion, por nëse diçka harmonizohet dhe miratohet në bazë të paritetit edhe nëse afatet për vitin e ri shkollor dhe për programet mësimore e lejojnë këtë, kjo mundësi mbetet e hapur”, tha sot Boshnjakovski në konferencën për media në Qeveri.

Vendosjen e emrit të ri “Maqedonia e Veriut” në tekstet shkollore greke, e paralajmëroi edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Markos Bolaris.

Në takimin e dytë dyditor të Komitetit të përbashkët interdisiplinor për çështje historike, arsimore dhe arkeologjike të Maqedonisë të Veriut dhe Greqisë që u mbajt në Shkup fundjavën e kaluar u përafruan qëndrimet lidhur me konceptet e të dy palëve, ndërsa është konfirmuar edhe dinamika e takimeve të ardhshme.

Në takimin në Shkup janë shqyrtuar edhe tekstet shkollore të historisë dhe gjeografisë për arsim fillor dhe të mesëm. Në takimin e ardhshëm të Komitetit të përbashkët interdisiplinor të caktuar për më 12 dhe 13 prill në Athinë do të punohet në çështjet konkrete.