Ekspertiza do t’i tregojë shkaqet për fatkeqësinë në Çerkez të Kumanovës, institucionet të gatshme për të vepruar


Ekspertiza të cilën janë duke e bërë Hekurudhat e Maqedonisë Transport, Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura, MPB dhe Prokuroria Publike Themelore do t’i tregojë shkaqet e fatkeqësisë e cila ndodhi sot në mëngjes në orën 01:50 kur vagonët e trenit  transportues rrëshqitën nga binarët, në afërsi të fshatit Çerkez të Kumanovës, kumtoi sot, zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev i cili së bashku me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski dhe drejtorin e HM Infrastruktura, Irfan Asani bënë ekspertizë në vendin e fatkeqësisë.

Pas përfundimit të ekspertizës, theksuan autoritetet, ndërmarrjet janë të gatshme t’i heqin vagonët, të sanohen dëmet dhe të lëshohet në funksion sërish komunikacioni i cili për momentin është i ndërprerë. Qeveria do t’u ofrojë mbështetje institucioneve në afatin më të shpejtë të mundshëm të sanohen pasojat e fatkeqësisë, theksuan zëvendëskryeministri dhe ministri.

“Rrethanë me fat është se nuk ka të lënduar, nuk ka viktima në fatkeqësi, ka dëm material dhe i cili do të përcaktohet në mënyrë plotësuese. Ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka është në fuqinë tonë, pas përfundimit të ekspertizës shpresojmë se do të jetë gjatë ditës dhe natës, ndërsa që nesër të fillojë sanimi i binarëve që të mund të vihet në funksion sërish drejtimi transportues veri-jug, gjegjësisht Korridori 10 i cili për momentin është ndërprerë”, deklaroi Angjushev.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Sugareski tha se dy ndërmarrjet, tashmë i kanë informuar se çfarë do të ndërmarrin pas përfundimit të ekspertizës, duke theksuar se është mirë që nuk ka të lënduar në fatkeqësi.

Edhe drejtori i HM Infrastruktura, Irfan Asani tha se dëmet materiale do të mbulohen prej sigurimit. Ai potencoi se në vitin 2012 është nënshkruar marrëveshje për rikonstruimin e 60 kilometrave prej Korridorit 10.

“Një pjesë e kësaj pjese të rikonstruuar është Tabanoc – Kumanovë, ndërsa nga Kumanova deri në Shkup ka nivelizim të pjesshëm dhe rregullim të binarëve ekzistues që vetvetiu tregon se parametrat janë ruajtur dhe kondicioni i binarëve është ruajtur, në pajtim me standardet të cilat i udhëheqim, të inkorporuar në të gjitha rregulloret ligjore të cilat i shfrytëzojnë”, deklaroi Asani.

Në orën 23, tha Asani në këtë vend ka kaluar treni ekspres Selanik – Beograd, 36 minuta pas mesnate ka kaluar një tren tjetër i cili është larguar nga Shkupi drejt Tabanocit me 33 vagonë apo 800 tonë dhe në orën 01.50 treni i njëjtë është kthyer me ngarkesë.

“Edhe pas kalimit të vendkalimit në rrugë që shihet mirë edhe prej kamerave nuk ka pasur ndonjë të themi situatë të veçantë, ndodh shtrembërimi i njërit prej vagonëve, vagoni i tretë dhe kështu ka vijuar ngjarja si rezultat i këtij shtrembërimi”, deklaroi Asani.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse parregullsia gjatë ngarkimit të vagonëve është indikacioni i parë jozyrtar për fatkeqësinë, Asani theksoi se ky është një prej indikacioneve që shihet.

“Këtu jemi duke shikuar, se sa ka vepruar ngarkesa do ta tregojë raporti. Gjithashtu jemi duke i shqyrtuar edhe arsyet e tjera, ka procedurë, ka rend se si bëhen këto punë. Ne normal se nuk do ta fshehim asnjë prej elementeve, çfarëdo të ketë ndodhur jemi të hapur dhe do ta themi dhe ndërmarrim përgjegjësi për këtë”, deklaroi Asani.