Ekspertët: Nga zgjidhja e kontestit Greqi-Maqedoni fitojnë të dyja palët


Nga zgjidhja e kontestit shumëvjeçar me emrin Maqedonia do të përfitojë në rrugën e saj euro-atlantike kurse Greqia do të jetë përfituese e madhe ekonomike, vlerësojnë ekspertët. Sipas tyre, cila do qoftë zgjidhja, asnjëra palë nuk mund të jetë humbëse.

Diplomacia e zgjidhjes së konflikteve në mënyrë paqësore, parasheh dobi të ndryshme. Një ndër to është edhe dhënia e privilegjeve ekonomike Qeverive që janë në këtë proces. Në këtë aspekt, Qeveria e Greqisë supozoj do të mund të përfitojë në zbutjen e masave të shtrëngimit ashtu siç i quan BE-ja, faljen eventuale të borxheve ndaj vendeve anëtare të BE-së. Ndërsa Maqedonia eventualisht mund të përfitojë në investime në ndonjë projekt ekonomik të madh – tha Muhamet Halili, ish diplomat.

“Presioni ndaj nesh është i njohur. Bëhet fjalë për hyrje në NATO dhe negociata me BE-në. Por edhe ndaj Ciprasit ka presion me krizën ekonomike, p.sh. Pjer Moskovisi komisar për financa i BE-së dje qëndroi në Athinë dhe deklaroi se në gusht e sheh fundin e tunelit të krizës ekonomike në Greqi. Pra, Evropa paralajmëron se nuk do të ketë më programe të reja ekonomike me të cilat grekëve iu imponohet që të shtrëngojnë rripin dhe të kursejnë, por do të duhet të ketë njëfarë post-programi për monitorimin e zbatimit të masave ekonomike”, u shpreh Svetllana Jovanovska.

Sipas ekspertëve ndër tjera, me zgjidhjen e emrit, Greqisë do t’i përmirësohej rejtingu në NATO dhe BE; do t’i zvogëlohej presioni që ka nga bashkësia ndërkombëtare në kontestin me Turqinë si dhe do të bëhej shembull në rajon për shtetet tjera që kanë konteste për të zgjidhur.