Ekonomistët paralajmërojnë, Zaev për 2019 premton 500 euro rrogë, qytetarët emigrojnë nga vendi


Agjencia e Bashkimit Evropian për statistikë EUROSTAT publikoi një analizë në të cilën thuhet se 2/3 e qytetarëve të Maqedonisë ose më tepër se 60 % nuk kanë mundësi njëherë në vit të bëjnë pushime. Pas publikimit të kësaj informate reaguan një pjesë e ekonomistëve.

Në bisedë për “Nezavisen” profesori universitar dhe ekpersti ekonomik Elmi Aziri tha se ky hulumtim i EUROSTAT është autentik dhe real. Arsyet sipas Azirit për këtë mund të kërkohen tek përqindja e lartë e papunësisë, rrogës së ulët por edhe shpërndarja joadekuate e financave publike.
“Ekzistojnë më tepër faktor sipas të cilëve mund të analizohet niveli i standardit jetësor. Sipas të dhënave sindikale janë të nevojshëm rreth 550 euro pagë mujore që një familje të lidh muaj me muaj, ndërsa nga ana tjetër rroga mesatare sipas të dhënave zyrtare për muajin e kaluar ishte 400 euro. Duhet të kemi parasysh se numri i fundit nuk paraqet fuqinë reale ekonomike të qytetarëve, përshkak se qytetarët kanë marrë financa prej disa burimeve të ndryshme. Statistika flet se 60-70 përqind të qytetarëve marrin rroga afër minimales ose rreth 200-250 euro. Përveç kësaj, sipas të dhënave zyrtare përqindja e papunësisë është rreth 22-23 përqind, që është numër i madh dhe barrë e madhe për ata që janë të punësuar. Kjo do të thotë se kemi pafuqi ekonomike e cila buron nga jozhvillimi ekonomik i shtetit”, tha Aziri.

I pyetur se a mund qytetarët për kohë të shkurtër të marrin të arrdhura mujore prej 500 euro ashtu siç premtoi kryeministri Zaev, Aziri tha:
“Duhet të ketë segmentim dhe kategorizim e atyre që bëjnë të ardhurat nacionale. Të kuptohet cila kategori është kryesore dhe ndikon më shumë në rritjen e pagës mesatare, vallë janë ata pronarët e kapitalit, vallë është klasa e mesme e cila realisht nuk ekziston por konsiderohet se është klasë e cila mbijeton me rroga, ose vallë janë pronarët e bankave ose fabrikave”.

Një qytetar i pyetur për këtë çështje dhe i cili nga frika mos ta humb vendin e punës, për “Nezavisen” deklaroi se edhe përkundër statusit të tij si i punësuar ai dëshiron përgjithmonë të largohet nga vendi dhe të emigroj në Amerikë ose në shtetet e Evropës Perëndimore.
“Veçmë aplikova në disa ambasada prej ku pres përgjigje. Edhepse punoj si mësues, prapseprap rroga e ulët, pamundësia për ti lejuar vetes një jetë dinjitoze dhe joperspektiva, dëshiroj përgjithmonë të largohem nga Maqedonia”, tha qytetari anonim.

Ditëve të fundit kryeministri Zoran Zaev përsëriti qëndrimin e tij duke shkuar një hap më larg dhe tha se rroga mesatare prej 500 eurove mund të arrihet që nga viti 2019.

“Të rinjt ose të moshuarit me 12 mijë denarë nuk mund të bëjnë shumë por mos të harrojmë se rroga minimale në Maqedoni ishte 9500 denarë. Ne vazhdojmë më tej me tendencën për rritjen e rrogave të përgjithshme dhe sot jemi të kënaqur të themi se rroga mesatare është 24 mijë denarë. Qëllimi është që deri në fund të mandatit rroga mesatare të arrijë shifrën prej 30 mijë denarëve ose 500 eurove”, tha Zaev.

Blerim Ismaili