Edhe Ziadin Sela reagoi për heqjen e kompetencave të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari


Lideri i Aleancës së Shqiptarëve dhe deputeti, Ziadin Sela nëpërmjet një statusi në profilin e tij në “facebook” ka reaguar në vendimin e Ministrisë së Arsimit për marrjen e kompetencave të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari që të emërojë dhe shkarkojë drejtorë në komunë, transmeton Portalb.mk.

Ai vlerëson se këto tendenca po bëhen për shpërqëndrim vëmendjeje nga gjërat që i kanë bërë.

“E vërteta e raportit të Transparency Interenational ku Maqedonia radhitet e 107 ne botë për nga indeksi i korrupsionit, financimi i fushatës elektorale të BDI-së me fonde publike nga ndërrmarje publike të udhëhequra nga kuadro të po kësaj partie nuk mund të mbulohet me marrjen e kompetencave në arsim të Komunës së Gostivarit. Njëherit tendencat e “hallës Deskë” që Komuna e Gostivarit të shërbejë si objekt shpërqëndrimi vëmendjeje nga korrupsioni dhe “synetia” e krerëve të BDI-së (që, besa, është e nevojshme) me kosto gjashtëqind mijë euro fonde nga Ministria e Kulturës, është njëjtë sikur të mundohesh të mbulosh diellin me shoshë…”