Edhe Amdi Bajrami hyn në Qeveri


Pas kyqjes zyrtare të PDSH-së së Menduh Thaçit dhe Lëvizjes Besa nga Shkupi në Qeveri, kryeministri Zoran Zaev konfirmoi se është arritur marrëveshje për këtë çështje edhe me partinë e Amdi Bajramit, Lidhjen e Romëve.
Për dallim prej PDSH-së dhe Besës, Lidhja e Romëve nuk do të ketë post ministror por vetëm pozita në eshalonin e tretë të ekzekutivit.
Në pyetjen e gazetarëve se kush është ai që vendos për përbërjen e Qeverisë ai apo lideri i BDI-së Ali Ahmeti, Zaev i qartë se si mandatar ai ka fjalën e fundit.

“Arritëm pajtueshmëri me partinë e Afrim Gashit, PDSH-në e Menduh Thaçit dhe me Lidhjen e Romëve që të bashkangjiten në Qeveri. Për emrat nuk dua të bisedoj sepse pasi të përfundoj ky proces partitë politike me siguri vetë do ti bëjnë publike emrat e ministrave të ri. Unë kam biseduar me kandidatët dhe mua më intereson profili i tyre sepse për këtë gjë jam i përqëndruar”, tha kryeministri Zaev.

Mbetet të mësohet vendimi final i partisë së Ljubisav Ivanov – Singo, përshkak se deputetët e kësaj partie edhe pse pjesë e koalicionit opozitar me VMRO – DPMNE-në, në disa raste ndihmuan që shumica parlamentare të sigurojë kuorum në Kuvend.